Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, këtë verë solli një këngë ritmike verore në bashkëpunim me DJ-në e njohur, Sigala.
Kënga me titull “You For Me” është shndërruar menjëherë në një nga hitet më të hovshme të kësaj vere, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke pasur parasysh mikpritjen dhe suksesin që i është dhuruar kësaj kënge, Rita vendosi që për fansat të publikojë edhe versionin akustik.
Ajo u shfaq në një video muzikore të xhiruar në një kopsht, duke kënduar e vetme shoqëruar nga një pianiste.
E veshur me një fustan të verdhë dhe elegant, 30-vjeçarja është dukur tejet tërheqëse ndërkohë që interpretonte versionin akustik të hitit të saj më të fundit.
“Është këtu! Versioni akustik është i juaji”, shkroi Rita në një video të shpërndarë me fansat e saj në Instagram.
Rita përndryshe ka qenë mjaft aktive gjatë këtij viti në muzikë, duke publikuar një mini-album në fillim vit me katër këngë që janë pritur shumë mirë nga publiku dhe tani me bashkëpunimin me DJ-në e njohur britanik.