Këngëtarja Rita Ora ka vendosur që të jetë pjesë e instalacionit artistik të quajtur “Mendoj për ty” të organizuar në Kosovë.
Artistja Alketa Xhafa Mripa ka bërë me dije se bukuroshja me prejardhje nga Kosova, Rita, ka dhuruar një fustan për këtë kauzë.
“Vajza jonë, @RitaOra sot ka dhuruar një fustan (#DonatingASkirt) për instalacionin e #AlketaXhafaMripa #ThinkingOfYou që i dedikohet të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Duke e dhuruar fustanin e saj, ajo shpreh dhembshurinë e saj për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë dhe në botë me shpresën se ky krim i tmerrshëm të marrë fund”, ka shkruar artistja Xhafa-Mripa në Facebook, duke e shfaqur edhe fustanin që thotë se është dhuruar nga vet këngëtarja, raporton Koha.net.
Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës përgjatë muajit maj ka organizuar në Kosovë “Grumbullimin e fustaneve/fundeve”, një instalacion artistik i cili i dedikohet grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.
Deri më tani, fytyra të shumta publike të vendin tonë, por jo vetëm, kanë dhuruar fustanet e tyre për këtë kauzë.