Shefja e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Valmira Bllaca, e ka cilësuar presion kërkesën e ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, që të shikohen rrugët ligjore për anulimin e tenderit 110 milionë eurosh, që është shpallur dy javë para se ish-ministrit Lekaj t’i përfundojë mandati.
Kjo dhe disa deklarata të tjera të ministrit, Bllaca ka thënë se e kanë shtyrë të japë dorëheqje të parevokueshme. Por dorëheqja nuk i është pranuar nga sekretari i kësaj ministrie, Betim Reçica, shkruan sot “Koha Ditore”.
Siç ka mësuar gazeta, Bllaca ka bërë denoncim në Polici për stafin politik të Abdixhikut.
Në letrën e dorëheqjes se Bllacës listohet një konferencë për media e ministrit Abdixhiku për projektin e autostradës. Ka përmendur edhe prononcimet e ministrit në media e në profilin e tij në rrjetin “Facebook”.