Të rinjtë në Serbi nuk janë të prirë për ndryshime në qëndrimet politike, sidomos në raport me njohjen e pavarësisë së Kosovës, bazuar në sondazhin e fundit të Faktor Plus.
Sipas sondazhit të kryer në mes të 25-29 prill, me një mostër prej 800 të rinjsh të moshës 18-25 vjeç, nëse do të organizohet sot një referendum gjithëpopullor në Serbi, del se 32 për qind e të rinjve janë për hyrjen e shtetit serb në Bashkimin Evropian, kundër 26 për qind, 17 për qind të pavendosur, ndërsa 25 për qind nuk do të votonin raportojnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.
Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës për hir të anëtarësimit në BE, 74 për qind thanë “JO”, 16 për qind “PO”, ndërsa 10 për qind të të anketuarve janë në mëdyshje.
Qëndrimi ndaj anëtarësimit në NATO është si vijon: 34 për qind janë kundër, 30 për qind të pavendosur, 21 për qind nuk do të votonin, ndërsa 15 për qind “PO”.