Punonjësit e gazetës “Rilindja” kanë ngritur padi penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kundër Komunës së Prishtinës, lidhur me truallin prej rreth 5.5 hektarësh të kompleksit “Rilindja”.
Sipas padisë, Komuna dyshohet se ka përvetësuar pa të drejtë mjetet financiare nga ky truall, duke cenuar të drejtën ligjore të punonjësve për 20 për qindëshin nga privatizimi i pasurisë së NGB “Rilindja”.
Paditësit pretendojnë se trualli është blerë nga “Rilindja” në vitin 1971 për 11 milionë dinarë, bazuar në marrëveshjen me Komunën e Prishtinës, dhe se është marrë në shfrytëzim të përhershëm. Megjithatë, sipas tyre, Komuna ka fshehur ose trajtuar në mënyrë të paligjshme statusin juridik të kësaj prone.
Si dëshmi, Prokurorisë i janë dorëzuar marrëveshja e vitit 1971, kërkesa e AKP-së për regjistrimin e pronës, si dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës për shpronësimin dhe ngastrat kadastrale ku ndodhet kompleksi “Rilindja”.
Punonjësit kërkojnë nga Prokuroria që të nisë hetime penale ndaj Komunës së Prishtinës për këtë rast.
Prishtinë, 23 janar 2026

















