“Rikthimi” SHIK-ut te kosovarët, Latifi: Bajram Curri e themeloi Shërbimin Informativ

E publikuar: 17/03/2023 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka propozuar Vlora Hysenin për drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar. Ajo është nga Kosova dhe ka shërbyer si zëvendës-shefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, deri kur u shkarkua nga Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, në vitin 2021.

Propozimi për emërim i kosovares në krye të inteligjencës shqiptare, profesorit Blerim Latifi i ka kujtuar se drejtori i parë i Shërbimit Informativ të Shqipërisë ishte Bajram Curri nga Kosova.

“Edi Rama paska propozu një kosovare për ta drejtu SHISH( Shërbimi Informativ i Shtetit). Ky lajm më kujtoi një fakt historik pak të njohur: Themeluesi dhe drejtuesi i parë i Shërbimit Informativ në historinë e shtetit shqiptar po ashtu ka qenë një kosovar: Bajram Curri. Fakti se Currin kurrë nuk ia patën dalë ta rekrutonin ose blinin armiqtë e kombit shqiptar, na e dëshmon se ai ishte me plot meritë në atë detyrë. Siç tregon Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij, kur njëherë serbët u munduan ta bëjnë për vete, Bajram Curri u ishte përgjegjur:

“Deri më tani kam qenë armiku juaj, dhe i tillë jam edhe sot e kësaj dite. Kosova e robëruar mua do më shohë ose në arkivol, ose si ngadhënjimtar! Ndryshe s’bëhet!’”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Rama ka njoftuar sot se ia ka dorëzuar Presidentit Bajram Begaj propozimin për emërimin e Hysenit. Sipas Ramës, kredibiliteti ndërkombëtar i saj në fushën e inteligjencës e bën të denjë për të ardhur në krye të SHIK-ut të Shqipërisë.