
Liga e Kampionëve dalëngadalë po hyn në fazën e saj të nxehtë.
Gara më prestigjioze e futbollit evropian do t’i sjellë tetë ndeshje të së tetës së finales në këtë mesjavë.
Sonte do të luhen katër ndeshje e nesër mbrëma katër të tjera.
Pa dyshim, krejt sytë sonte do të jenë të përqendruar tek derbi madrilen.
Akti i parë i së tetës së finales mes Real Madridit dhe Atletico Madridit do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Përpos përballjeve epike në La Liga, “Los Blancos” dhe “Los Colchoneros” kanë dhuruar spektakël edhe në ballafaqimet e tyre në Champions.
Reali ka bilanc mjaft pozitiv ndaj Atleticos në Evropë.
Këto dy ekipe i kanë gjashtë duele në Ligën e Kampionëve, me Realin që i ka fituar katër prej tyre, njëri ka përfunduar baras, kurse një herë ka fituar Atletico.
E skuadra e Carlo Ancelottit dhe ajo e Diego Simeones e kanë një rivalitet të ashpër edhe në kampionatin spanjoll në këtë sezon, me synimin për ta fituar titullin e kampionit.
Ndërkohë, sonte do të luhen edhe tri ndeshje të tjera.
Lille i Edon Zhegrovës do ta vizitojë Borussia Dortmundin.
Kurse, PSV Eindhoven, i cili bëri mrekulli duke e eliminuar Juventusin, do t’i bëjë konak Arsenalit.
E Club Brugge i Ardon Jasharit do të ketë punë me Aston Villën.
Tri prej katër ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.