Lewis Hamilton përpiqet t’i lërë pas fërkimet me Nico Rosberg, por ndërkohë shprehet se ndihet më i fortë psikologjikisht se shoku i tij i skuadrës. Te Mercedes qetësia u prish kur pas garës në Kinë, gjermani akuzoi britanikun se po i rrezikonte garën me pilotimin e tij të ngadaltë dhe ndoshta të qëllimshëm.
“E kam thënë gjithmonë se Nico është një pilot me karakter dhe mentalitet të fortë, por besoj se këtë vit jam unë më i fortë. Cfarë ndodhi pas garës në pistën e Shangait tani i takon të shkuarës. Nuk jam dakord me ato që ka thënë ai. Në pozicionin e tij, nëse unë do të isha më i shpejt do të tentoja parakalimin, gjë që Nico nuk e bëri. Shqetësimi i tij nga Ferrari? Nuk e di se çfarë po mendonte. Di që pas garës unë jam ndjerë shumë mirë”.
Nga ana tjetër është bosi i Mercedes, që gjithashtu tenton të qetësojë situatën e acaruar mes britanikut e gjermanit. Toto Wolff tha se Rosberg ishte në telashe nga Vettel që po i afrohej, kështu që shqetësimi i të dy pilotëve është i kuptueshëm./supersport.al/