Rikthehet i nxehti ekstrem, me Europën “përvëlohet” dhe Ballkani!

E publikuar: 12/07/2022 19:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Temperaturat mbytëse po rikthehen në disa pjesë të Europës, e cila sa po e merrte veten nga vala e pazakontë përvëluese e kohëve të fundit.

Thatësira të mëdha e zjarre pyjore kanë pllakosur Spanjën e Portugalia, ndërsa zhiva e termometrit shënoi rritje edhe në Francë e Mbretërinë e Bashkuar. Piku i temperaturave atje pritet të enjten; autoritetet franceze po mendojnë të anulojnë spektaklin tradicional me fishekzjarrë të ditës së pavarësisë nga frika se kjo mund të shtojë rrezikun e zjarreve.

Valët e të nxehtit thotë BBC, po bëhen më të shpeshta, më intensive e më të zgjatura, dhe kjo, për shkak të ndryshimeve klimatike. Planeti është ngrohur tashmë me 1.1 gradë Celsius që prej fillimit te erës industrial.

The Guardian thotë se në disa pjesë të gadishullit Iberik, janë mbërritur 40 gradët Celsius. Por gjatë pjesës tjetër të kësaj jave, nxehtësia ka të ngjarë të rritet edhe më intensivisht në rreth 7C mbi mesataren, me temperatura maksimale që prekin 46-47 C në Sevilje të Spanjës. Ky front parashikohet të avancojë drejt veriut përmes Francës, duke arritur potencialisht në Mbretërinë e Bashkuar deri në fundjavë, e më tej. Si rezultat, thotë The Guardian, temperaturat më të larta ka të ngjarë të kalojnë 40 gradë Celsius në pjesë të Francës, Gjermanisë dhe madje edhe “në vendet e ulëta” deri në këtë fundjavë.

Në mënyrë të pazakontë, ndërsa vapa vazhdon në të gjithë Europën Perëndimore, temperaturat në pjesë të Mesdheut qendror dhe lindor do të rriten gjithashtu në rreth 10 gradë Celsius mbi normalen, duke tejkaluar nivelin e 40 gradë Celsius në të gjithë Italinë, e madje dhe në Ballkan. Deri të hënën e javës së ardhshme, mund të ndodhë që Europa Qendrore, ajo Jugore e Perëndimore të përjetojnë temperatura dukshëm mbi normën sezonale, me kushte të përhapura të valëve të të nxehtit.
/tch/