Nga e tashmja tek e ardhmja Franck Ribery nuk fshihet. Futbollisti francez në një intervistë zbuloi se këtë sezon më shumë sesa Bundesligën dëshiron të fitojë Championsin me Bayernin. Por jo vetëm kaq, nëse dikush mendon se ky mund të jetë viti i fundit i Ribery te skuadra bavareze gabohet rëndë, sepse 33-vjecari ka objektiva të tjerë.
“Të them të drejtën më shumë sesa titullin e 5-t rradhazi në Bundesligë këtë vit dëshiroj të fitoj Championsin me Bayernin pasi ky trofe shijon më shumë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ne do të heqim dorë nga kampionati, jemi një skuadër e madhe dhe duam të triumfojmë në cdo kompeticion ku marrim pjesë. Nuk do të jetë e lehtë por mund tia dalim. Edhe fitimi i kampionatit është një objektiv i rëndësishëm për ne. E ardhmja ime? Mendoj se do të qëndroj te Bayerni edhe për dy apo tre vite të tjera. Nuk e di realisht se cfarë do të ndodhë por ajo që mund të them është se aktualisht e ndiej veten në një formë të shkëlqyer, dhe gjërat e tjera le tia lëmë kohës”.
Francezi i ka hedhur pas krahëve dëmtimet e njëpasnjëshme që nuk e lejuan të jepte rregullisht kontrubtin e tij te Bayerni në dy sezonet e kaluara. Pak nga pak Ribery po arrin formën e tij maksimale dhe me Ancelottin në drejtimin e kampionëve të Gjermanisë i ka të gjitha mundësitë për tu rikthyer ai i dikurshmi. 33-vjecari në prononcimin e tij foli me superlativa për trajnerin italian.
“Ancelotti është një person i qetë. Ai është një njeri shumë human, i aftë për të qeshur në cdo moment. Ne futbollistëve na pyet cdo ditë se në cfarë gjëndjeje jemi. Të gjithë në skuadër kemi një raport shumë të mirë me të që na ndihmon për të punuar në mënyrë të shkëlqyer. Por edhe pse futbolli është jeta jonë nuk mund të flasim gjithmonë për të, kjo është edhe arsyeja se përse asnjëri nga futbollistët nuk ka dalë të kritikojë Carlon, pasi përvec se një trajner i madh, ai është një njeri me shumë vlera”.