Podgorica zyrtare shpreson që Kosova do ta gjejë mënyrën për ta adresuar çështjen e demarkacionit sa më shpejtë. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Zoran Pazin ka thënë sot se Mali i Zi është vend mik i sinqertë i Kosovës për avancimin e raporteve bilaterale, por ka kërkuar që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen e arritur për kufirin, raporton Indeksonline.
“Pazin ka shfaqur shpresën se institucionet e Kosovës do të gjejnë së shpejti modelin për përfundimin e ratifikimit të Marrëveshje shtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës si dhe Mali i Zi pret qëndrim zyrtar të Qeverisë së Kosovës për këtë cështje. Në këtë kontekst, ka thënë ai, mirëkuptimi dhe durimi janë qasje e Malit të Zi në politikën rajonale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi.
Por një ditë më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në emisionin “Debat”, në RTK tha se kufiri është në Qakorr dhe Kullë. Sipas tij, nuk ka nevojë askush t`u jap obligime, sepse ata e dinë çka i obligon Kushtetuta dhe se kjo punë do të ecë përpara.
Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave ai tha se nuk ka dëshirë të jetë pengesë e liberalizimit, por shpreson që çështja e Demarkacionit do të kryhet në afat të shpejtë, por pa dhënë datë të caktuar.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, ka thënë se kryeministri pas hapit të parë për formimin e komisionit të ri, është duke i shqyrtuar mundësitë për veprimet e ardhshme dhe kompetenca që do t’i ketë ky komision.
“Hapi i parë tashmë është kryer për fillimin e një procesi të ri. Rreth kësaj teme Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Haradinaj, mbetet të studiojë të gjitha modalitetet se çka do të behet në të ardhmen. Mund t’ju them se procesi nuk do të prolongohet. Kjo çështje do të marrë një dinamikë të shpejtë. Se çka do të bëhet si hap i radhës janë duke u studiuar të gjitha modalitet”, tha Matoshi.
Ndërsa kryesuesi i ri, Shpejtim Bulliqi thotë se kriteret të cilat janë zbatuar për matjen dhe përcaktimin e vijës kufitare kanë qenë të gabuara dhe ato duhet të rishikohen.
“Ato kritere kanë prodhuar një rezultat i cili faktikisht po del në kundërshtim me realitetin praktik. Këto angazhime shtesë, nëse na krijohet hapësirë dhe mundësia nga ana e Qeverisë, ne jemi të gatshëm qysh nesër të hyjmë në proces të punës”, tha Bulliqi.
Ndryshe sot gjatë ditës në Mal të Zi ka qëndruar ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i cili me përfaqësuesit e lartë të këtij vendi ka diskutuar edhe për çështjen e demarkacionit, por pa specifikuar kohen se kur mund të përfundoi ky proces.


















