Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, ka publikkuar pamjet e fundit nga punimet në stadiumin e qytetit, duke e quajtur gjendjen aktuale të projektit “shqetësuese dhe me cilësi skandaloze”.
Në një postim në rrjete sociale, Rashiti ka shpërndarë fotografi ku sipas tij shihet qartë dëmtimi i strukturës së betonit në bazamentin e stadiumit. Ai thekson se moskompaktimi dhe mosvibrimi i betonit gjatë fazës së ndërtimit dëshmon për punime të pakontrolluara dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.
“Është e papranueshme që një objekt publik, i ndërtuar me miliona euro të qytetarëve, të punohet me këtë cilësi,” ka shkruar Rashiti, duke akuzuar direkt kryetarin aktual të komunës për neglizhencë dhe për emërimin e praktikantëve pa përvojë në komisionet mbikëqyrëse.
Rashiti i kërkon institucioneve përkatëse që të fillojnë hetime urgjente, të identifikojnë përgjegjësit dhe të rikthejnë standardet profesionale në projektet publike të qytetit.
Postimi i plotë
Reagim publik për cilësinë e ndërtimit të stadiumit të Gjilanit
Pamjet e fundit nga punimet në stadiumin e qytetit të Gjilanit janë shqetësuese dhe tregojnë një realitet të hidhur, cilësi skandaloze e ndërtimit.
Bazuar në fotografit e publikuara shihet shumë qartë se betoni është i çarë dhe i shkatërruar në disa pjesë të bazamentit. Moskompaktimi dhe mosvibrimi gjatë betonimit, dëshmojnë se punimet aty janë të pakontrolluara dhe pa mbikëqyrje profesionale.
Është e papranueshme që një objekt publik, i ndërtuar me miliona euro të qytetarëve, të punohet me këtë cilësi. Kryetari i Komunës ka përgjegjësi direkte, sidomos kur në komisionet mbikëqyrëse emërohen praktikantë pa përvojë dhe pa kualifikim të duhur profesional.
Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, llogaridhënie dhe kthim të standardeve në ndërtim. Gjilani nuk ka nevojë për stadium të rrezikshëm.
❌ Për katër vite fare pak punove, por gjithçka e shkretove.


















