Rezultati i 9 shkurtit dhe formulat për qeverinë e re, politologu Albinot Maloku flet për ‘InfoSot’

E publikuar: 11/02/2025 19:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zgjedhjet e 9 shkurtit u organizuan në mënyrën më të mirë ku qytetarët me votën e tyre të lirë treguan se janë demokratë të rajonit dhe me gjerë. Përveç një shije të hidhur në mbrëmjen e 9 shkurtit ka lënë dështimi i sistemit të KQZ-së ku ende edhe pas dy dite nuk kemi një rezultat final preleminar të procesit zgjedhor, shkruan InfoSot.

Por ajo që dihet deri në këtë kohë është se në bazë të numërimit të deritanishëm i cili përfshinë pothuajse 97 përqind të votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.86 %, e dyta renditet PDK-ja me 22. 06%, e treta është LDK-ja me 17.62 %, pasuar nga AAK- – Nisma me 7.46 % dhe Lista për Familjen me 2.29%.

E për të folur lidhur me këtë proces zgjedhor, rezultatet që ka prodhuar sovrani me votën e tij dhe koalicionet e mundshme se kush e si mund të udhëheqë me qeverisjen e ardhshme në Kosovë ka folur për InfoSot politologu Albinot Maloku.

Ai ka thënë së përmes votës së tyre qytetarët e Republikës, duke i dhënë mbështetje opozitës mundësuan mbrojtjen e  demokracisë në vendin tonë. 

“Tani është radha e subjekteve politike dhe liderëve të tyre të tregojnë maturi e konsideratë për nevojat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Vendi ka nevojë për një qeveri përfshirëse dhe që ruan maksimalisht pozicionin e Kosovës në rrethanat aktuale, duke e fuqizuar në sundim të ligjit e kushtetutshmërisë, fuqizuar raportin me aleatët dhe për të ruajtur atë në rrugëtimin e saj euro-atlantik”, tha Maloku për InfoSot.

Sipas tij kjo mund të bëhet nëse do të kemi një partneritet të pranueshëm mes të madhit dhe njërit nga të vegjlit e opozitës, për të ruajtur pozicionin aktual të Kosovës në të gjitha rrafshet.

“Nëse këtë rekomandim nuk e pranon partia e parë, e nga refuzimi e ofendimi që e bëri pas procesit zgjedhor përmes fjalimit atëherë mund të provojnë me partitë tjera të bashkësive etnike, duke e përfshirë edhe komunitetin serb”, ka shtuar ai.

Mëgjithatë sipas tij ka ende kohë deri të certifikimi zyrtar e përfundimtar i rezultateve.

Megjithatë, në bazë të rezultatin te fundit që ka dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku ende nuk janë përfshirë numërimi i votave nga diaspora dhe ato me kusht, asnjë subjekt politik nuk mund ta bëjë qeverinë e vetme.

Prandaj pas rezultatit përfundimtar dhe certifimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ sipas kushtetutës, VV-së si subjekti me përqindjen më të madhe në zgjedhje i takon të provojë e para për formimin e qeverisë së re.

E nëse subjekti i parë nuk arrin ta formojë, atëherë vjen në radhë subjekti i dytë, në këtë rast, PDK-ja e cila me një koalicion potencial me LDK-në dhe AAK- Nisma duke përfshirë edhe minoritetet mund të arrijnë deri të një koalicion për formimin e qeverisë së re.

Por sesi do të rrjedhin gjërat, javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare që vendi ta këtë edhe qeverinë e re, kur dihet se Kosovën e presin shumë sfida jo vetëm në planin e brendshëm por edhe atë në planin e jashtëm. /InfoSot