Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se në Republikën e Maqedonisë nuk ka hapa, përkatësisht veprime radikale të cilat e shqetësojnë shoqërinë në terësi, jo vetëm Bashkësinë Islame këtu dhe myslimanët, por tërë shoqërinë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rexhepi, fillimisht do të ndalem tek festa e Fitër Bajramit që simbolizon faljen, mëshirën… Sa reflektohet kjo frymë, këto vlera edhe në harmoninë ndërfetare, madje edhe në stabilitetin e vendit në një shtet multietnik siç është Maqedonia?
Sulejman Rexhepi: Porosia ynë është në këtë drejtim, të gjithë besimtarët mysliman masivisht të përcjellin uratat e veta, gëzimin dhe ndjenjat në shenjë respekti së pari ndaj familjes, ndaj fqinjëve dhe gjithsesi ndaj të gjithë të tjerëve, të gjithë dashamirëve. Unë kam bindje se ky manifestim, festa e Fitër Bajramit si festë është shumë e gjallëruershme këtu në Republikën e Maqedonisë, për arsye se të gjithë besimtarët gjatë një muaji kanë agjëruar dhe i janë përkushtuar Allahut fuqiplotë.
Ndonëse sfidë për Ballkanin mbetet terrorizmi në rrafshin global, madje edhe në kumtesën me shkrim të BDI-së pas takimit me ndihmës-sekretaren amerikane të shtetit Viktoria Nuland theksohej se të dy kanë biseduar “rreth shqetësimit të përbashkët, atë të luftëtarëve nga rajoni në luftërat në Siri dhe Irak”.
Radio Evropa e Lirë: Cili është qëndrimi i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI-së) si dhe angazhimi i juaj për të parandaluar këtë fenomen siç jeni shprehur disa herë të pa papranueshëm për besimtarët e fesë islame këtu dhe gjetiu?
Sulejman Rexhepi: Sa i përket lëvizjes radikale islamike e cila jo vetëm në Ballkan, por në tërë botën nga e cila ndjehen përkatësisht përjetohen momente dhe trauma të ndryshme të mëdha, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, si institucion shpirtëror, fetarë, institucion që përfaqëson islamin me parimet e veta është gjithmonë vigjilente e përcjell situatën hap pas hapi dhe gjithmonë ka qenë në krye të detyrës, këtë mendoj se tërë opinioni e din jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.
Jo rastësisht ne dolëm edhe me një projekt përmes së cilit kërkuam që me ne të solidarizohen të gjithë ata të cilët janë dashamirë të paqes, qetësisë si dhe ata të cilët janë kundër dhunës, kundër radikalizmit, përkatësisht janë për mirëkuptim, bashkëjetesë dhe unë mendoj se ky projekt i yni ende është aktiv, ecë, edhe pse mendoj se ky projekt ka pasur mundësi të ecë edhe më shpejtë dhe më fuqishëm, por një gjë është e sigurt se nga ai projekt nuk heqim dorë.
Me vet faktin që ne ofrojmë një projekt konkretet për parandalimin e kyçjes së luftëtarëve nga Maqedonia në luftërat në lindjen e afërt do të thotë se BFI e Maqedonisë e ka shqetësim luftën kundër të gjitha lëvizjeve radikale.
Me siguri edhe subjektet dhe faktorët e ndryshëm relevant qofshin ata në kuadër të Bashkimit Evropian, apo në kuadër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë shqetësim e kanë preokupim dhe ne në këtë drejtim gjithmonë kemi kërkuar që me të gjithë faktorët relevant të kemi bashkëpunim të mirëfilltë, kontakte të përditshme që të këmbejmë informata në mes veti.
Radio Evropa e Lirë: Do të ndalem edhe pak në këtë çështje, a ka Maqedonia ekstremizëm fetar, dhe vendi a është i rrezikuar në këtë drejtim?
Sulejman Rexhepi: Kohëve të fundit është një realitet i pa mohueshëm, të gjithë atë të cilët kanë menduar madje edhe ne si institucion kemi pasur disa vërejtje më duhet të theksoj se viteve të fundit gjendja është më e qetësuar në rajon.
Lirisht mund të them dhe për këtë mbaj përgjegjësi, në Republikën e Maqedonisë nuk ka hapa përkatësisht veprime radikale të cilat e shqetësojnë shoqërinë në terësi, jo vetëm Bashkësinë Islame këtu dhe myslimanët, por tërë shoqërinë, pra dua të them se nuk ka lëvizje radikale e cila prish atmosferën e paqes qetësisë dhe sigurisë në vend.
Në të kaluarën në shtrirjen Ballkanike janë marrë disa masa. Unë nuk mund të bindem se duhet dikush nga Maqedonia apo Ballkani më gjerë, Evropa apo bota të jetë pjesëtarë i një lufte të çmendur që po ndodh në Siri dhe në Irak, por de fakto ne nga këtu kemi njerëz të cilët gjinden atje, kemi njerëz nga këto vise që kanë dhënë jetën atje, motivet e tyre mbeten të fshehta, por më duhet të theksoj se ne e kemi thënë fjalën tonë, duke qenë gjithmonë transparent se në pyetje ka qenë interesi material dhe rekrutimi.
Si Bashkësi Islame këtu në Republikën e Maqedonisë nuk kemi informata për ndonjë lëvizje rekrutimi e cila vepron përkatësisht funksionon këtu, por më duhet të theksoj se ka organe të cilat janë edhe më kompetente për këtë çështje dhe nëse ata konstatojnë se këtu veprojë lëvizje të tilla dhe njëkohësisht ne bindemi si institucion në bazë të fakteve dhe argumenteve sigurisht se do të kenë dhe mbështetjen tonë në luftën kundër çdo lëvizje anti-islame, do të thosha sepse unë radikalizmin dhe ekstremizmin e quaj si veprim anti-islam.
Radio Evropa e Lirë: Ndonëse institucioni që drejtoni ishte pjesë e trazirave pak para fillimit të muajit të shenjtë të agjërimit, dhe pas kësaj ju thatë se ky institucion është më i fortë pas goditjeve, ku e bazoni këtë ndërkohë që grupi i quajtur “Nisma për reforma në BFI” edhe më tej kërkon largimin tuaj nga ky institucion?
Sulejman Rexhepi: Sa u përket trazirave dhe tendencave për goditje të BFI-së para muajit të bekuar të Ramazanit, ato ishin tendenca përkatësisht bëhet fjalë për një iniciativë nga disa individë të caktuar të cilët numërohen në gishta.
Të gjithë ata të cilët janë larguar nga BFI përfshi këtu katër ose pesë persona të cilët me siguri se kanë qenë pjesë e projekteve të huaja, sepse askush nuk mund të më bind mua se nuk kanë qenë pjesë përkatësisht mbështetjen dhe gajretin (kurajën) e kanë marrë nga sigurimi shtetëror i Republikës së Maqedonisë.
Unë jam i gatshëm që me faktorët e sigurimit shtetëror të ballafaqohem para medieve. Njëkohësisht ua kam bërë me dije se veprimin e këtillë duhet ta harrojnë, ti shmangen dhe asnjëherë të mos e mbështesin sepse nuk është në interes të shtetit, nuk është në interes të qytetarëve këtu në Maqedoni, sepse ne jemi shtet multietnik dhe çdo trazirë që tentohet të bëhet nga struktura brenda një besimi, apo institucionit siç është BFI e Maqedonisë, 100 për qind do të reflektohet edhe në besimet e tjera, etnitetet e tjera.
Deshi Zoti që ne këtë situatë ditëm ta menaxhojmë me mençuri, përmes të gjithë dashamirëve të cilët ia deshën të mirën këtij institucioni dhe këtë çështje ta mbyllim në formën më të mirë, formën institucionale.