Rexhepi: Nuk ka ndonjë rrezik për mbulimin e pagesave për veteranët!

E publikuar: 12/07/2016 11:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Eksperti i çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi, konsideron se nuk ka ndonjë rrezik për mbulimin e pagesave për veteranët, apo për kategoritë e tjera sociale, duke pasur parasysh vëllimin e të hyrave në buxhet.

Rexhepi në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se me rastin e mbulimi të pagesave të veteranëve do të paraqitet një problem tjetër shumë më i madh dhe me ndikim.

Sipas tij, duke rritur ndarjet për kategoritë sociale, shkurtohen mundësitë për financimin apo investimin në sektorë që kanë ndikim direkt në rritjen ekonomike dhe në mirëqenien sociale të popullatës me ç’rast do të bëhet një riorientim i shpenzimeve dhe buxheti do të shndërrohet në një arkë për kategoritë sociale.

“Ky është problem esencial dhe qeveria e ka të vështirë të bëjë ndryshime, meqenëse është peng i premtimeve të qeverisë Thaçi, por, edhe i punës së papërgjegjshme të komisioneve për verifikimin e statusit të veteranëve. Prandaj, ajo tash gjendet në “pat pozicion” dhe e ka të vështirë të dal prej kësaj situate,” ka shtuar Rexhepi.

Për këtë çështje është kontaktuar edhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi por asnjëri nuk kanë dhënë përgjigje.