Afaristi i njohur Rexhep Kadriu, ka njoftuar sot rikthimin e tij në jetën publike dhe kandidimin për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan.
Kadriu, i cili më herët ka ushtruar funksionet e kryetarit të degës së AAK-së në Gjilan, nënkryetarit të Komunës së Gjilanit dhe zëvendësministrit të Infrastrukturës, tha se gjatë mandatit të tij ka qenë promotor i projekteve të rëndësishme për Anamoravën, përfshirë autostradën e Gjilanit dhe investime tjera kapitale.
Në njoftimin e tij publik, ai theksoi se vendimi për t’u rikthyer në skenën politike vjen pas një periudhe reflektimi, duke theksuar nevojën për “seriozitet, punë dhe stabilitet institucional” në vend. Kadriu falënderoi strukturat e LDK-së, përfshirë kryetarin e degës në Gjilan, Lutfi Haziri, dhe kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për mbështetjen.
Ai deklaroi se në këtë garë hyn me synimin për të çuar përpara projektet e mbetura pezull dhe për t’i rikthyer Anamoravës zhvillimin që e meriton, duke e përmbyllur fjalën e tij me thirrjen: “Le të zgjedhim shpresën.”

















