Reuters kujton krimet e Millosheviqit, thotë se s’do të ndodhë emërtimi i rrugës me emrin e tij

E publikuar: 09/03/2015 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar serbët të hënë që të mos vazhdojnë me vendimin për të emëruar një rrugë me emrin e Sllobodan Millosheviqit, ndërhyrja e të cilit në Kosovë nxiti luftën me NATO-n më 1999.

Rreth 10,000 shqiptarë u vranë në Kosovë dhe pothuajse 1 milion të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës brutale të kryer nga forcat serbe nën urdhrat e Millosheviqit më 1998-99, para se NATO të intervenonte me sulme ajrore që zgjatën 78 ditë pas së cilës Kosova mori rrugën e saj drejt pavarësisë e cila u shpall më 2008.

Nëntëdhjetë për qind e popullatës së re prej 1.8 milionë banorësh janë shqiptarë, por një pakicë serbe vazhdon të mbetet në Kosovë.

Vendimi që një komunë serbe të emëronte një rrugë me emrin e Millosheviqit, u prit ashpër edhe nga popullata por edhe nga qeveria.

“Për qeverinë e Kosovës, një vendim i tillë është i papranueshëm”, ka thënë Bajram Gecaj, zëvendësministër i Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal për Reuters, transmeton Koha.net.

“Ne presim nga kuvendi komunal i Ranillugut që të ulet dhe të ndryshojë vendimin, dhe nëse kjo nuk ndodhë, atë herë do të ndërmarrim veprimet e nevojshme në bazë të ligjit”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit Komunal të Ranillugut, Sasha Aleksiq, ka thënë se vendimi është sistemuar “për diskutime të mëtejshme”./koha.net/