ANDI BUSHATI
Lexova sot një shkrim të kolegut tim Mero Baze lidhur me një ndërtim skandaloz që Aleksandër Frangaj me forcën e bultozerëve të vet dhe me mbështetjen e kapterëve të Edi Ramës, po bën në plazhin e Golemit. Doja të sqaroja fillimisht dy gjëra. Së pari përmendjen e emrit tim, që i kam kërkuar kryeministrit ta ndalë këtë masakër që i përdhos kësaj qeverisjeje aksionin gjoja parimor për çlirimin e bregdetit.
Dhe së dyti, do përpiqem të replikoj me Bazen, për etiketimin që ai i bën këtij dhunimi që shkatërron 4 terrene sportive. Ajo nuk është shenja e njeriut që ndihet i mbrojtur. Nuk është as vetëm trimërimi i një zgjatimi të pushtetit të Berishës, që ka mbetur i pandëshkuar, siç thotë Baze. Eshtë shumë më shumë sesa kaq. Është zbythja e një qeverisje hajdutësh të kapur, që kanë frikë nga shpërthimi i skandaleve të tyre. Eshtë paburrëria e njerzve të gatshëm të ulin brekët edhe ndaj shantazhuesit më të parë.
Por, le ti marrim me radhë.
Fillimisht me dëshminë që jep Mero Baze në editorialin e tij në gazeta “Tema”. Po, është e vërtetë që në mbrëmjen festive të vitit të ri për gazetarët, në Pallatin e Brigadave, në sy të Bazes dhe të shumë kolegëve të tjerë, kam qenë i ashpër me Ramën për fasadën e aksioneve të tij selektive. I kam përmendur drejtuesit e arsimit që marin para për emërime, policët që lirojnë trafikantët e drogës, abuzimet me paratë e spitaleve. Dhe i kam thënë pa përfillur nervozizmin dhe padurimin e tij, se asnjë reformë nuk e kishte serioze dhe asnjë masë nuk e kishte pa selektivitet. E në këtë kuadër i kam përmendur edhe lejen që pushteti i tij i ri kishte dhënë për Frangajn, mu në kulmin e fushatës së prishjeve të ndërtimeve të fukarenjve, në zonat turistike dhe në bregdet. I kam thënë gjithashtu se qeverisja e tij ishte tepër e re për të blerë mediat, aq më shumë që mbrojtja e një ekrani si Klani, vetëm e bënte pis opozitarin e djeshëm që bërtiste: “të fala Sandrit”
Por, ajo që Baze nuk e thotë, sepse nuk e di, është se bashkëbisedimi im luftarak me kryeministrin rreth kësaj teme ka vazhduar. Pasi e përmenda edhe në një shkrim timin këtë skandal, si tentativë të blerjes së mediave, Edi Rama u bë sërish i gjallë. Më tha se nuk kish dhënë kurrë leje aty dhe pasi pa masterplanim që i dërgova me email, më ktheu përgjigje se nuk kish asfare shanc që dikush të ndërtonte në atë vend. “S’ka shanc të ketë gjë të ligjshme në këtë mes” më shkroi me bindjen e atij që nuk mund të përdhoste një truall që nuk kishte arritur ta prekte as pushteti grabitqar i Fatos Nanos, as ai brutal i Sali Berishës.
Thënë nga goja e “heroit” të luftës kundër informalitetit, të atij që kish shembur me dinamit pallatin e liderit të opozitës vetëm në emër të ruajtjes së bregdetit, të atij që kish lënë mijra fakirë të pastrehë, vëtëm në emër të zbatimit të ligjit, fjalia: “S’ka shanc të ketë gjë të ligjshme në këtë mes” mund të dukej e besueshme.
Natyrisht, mua Rama nuk më bindi. Megjithëse duhet ta pranoj që besimi naiv se ai nuk qe aq në hall sa të gëlltiste gjithçka që kish pështyrë më dha një fije shprese. Megjithëse përvoja, se një njeri që ka në dorë gjithçka, nuk mund të mashtrojë për gjëra kaq të imta, më bënte optimist të kujdesshëm.
Por, megjithëatë e ruajta këtë dokument në arkivën time për ta rilexuar në një ditë si kjo. Në një ditë si kjo, kur një ngrehinë e ngjashme me ndërtimin simbol të Kokëdhimës në Qeparo, po ngrihet në Golem. E ruajta për ta rilexuar dhe për ti bërë pyetjen vetes dhe kolegut tim Baze: Pse një njeri që e pranon se akti që po përgatitet të bëjë është një faj, vazhdon ta kryejë atë? Si duhet kuptuar një kryeministër që privatisht të flet ndryshe dhe kur vendos sillet tjetër lloj?
Pikërisht këto pyetje më çojnë tek pika e dytë që përmenda në fillim. Tek replika dhe mosdakordësia ime me Mero Bazen, për atë që ka ndodhur. Ai e quan hyrjen brutale në një pronë të përbashkët, shkallmimin e dyerve dhe dhunimin e rojeve, guximin për të ndërtuar pa kriter, në në kohë që të tjerëve po i shkatërrohet edhe streha ku fusin kokën, si një “trimërim të zgjatimeve të pushtetit të Berishës, që ka parë butësinë dhe pandëshkueshmërinë e Ramës”. Ndërsa, për mua, ajo që ka ndodhur është shumë më tepër sesa kaq. Rasti i “Lagunës” blu të Golemit, është i njëllojtë me atë të lagunës së Patokut, ku shteti pais një individ me liçencën për të grabitur një komunitet.
Dhe si i tillë ai është një akt kriminal, që nuk vjen nga shpërfillja apo nga butësia (siç thotë Baze), por nga filozofia e qartë për të qeverisur me disa dhe për të nëpërkëmbur të tjerët.
Dhe kur këta të privilegjuar kanë edhe pushtet mediatik, TV, apo gazeta çështja bëhet më e mprehtë.
Problemi nuk është, pra sikurse thotë Baze, te “harresa” e Ramës për të goditur ish klientët dhe shërbëtorët e Berishës. Problemi është më i rëndë. Eshtë se Rama po i rekruton dhe përdor ata. Ai i ka afruar në oborrin e vet, po u shpërndan pasuri, për ti vërsulur si kamikazë në mbrojtje të tij.
Me siguri që Mero e mban mend se si Klani hapte dhe mbyllte lajmet duke nxirë Edi Ramën. A e ka parë më ta bëje sot? Me siguri që Mero nuk i ka harruar kronikat që përshkruanin një shef opozite axhami në politikën e jashtme. A e vuri re atë pyetjen që iu bë Merkelit për kryeliderin e Ballkanit? Me siguri Mero e ka në kujtesë black out-in e zgjatur për Gërdecin dhe atë kronikën që vërtetonte se të vdekurit e 21 janarit u goditën nga turma. A i ka dëgjuar ti përmendë më Klani përsëri?
Këtu pra ndahem unë nga Mero Baze, sepse unë nuk e shoh problemin më të madh tek Frangaj, por tek Berisha dje dhe Rama sot. Sepse, ndryshe nga ai, unë vazhdoj të mendoj se ata që zvarriten për të shërbyer, janë gjithnjë një e keqe më e vogël sesa ata që kanë pushtet dhe pranojnë t’i përdorin.
Dhe e keqja bëhet më e rëndë kur mendon se sa shpejt ka filluar pushteti i ri të ketë nevojë për kuajt e ngordhur që mbrojtën Berishën. Pyetja që shtrohet është: përse? Nëse Berisha filloi të shpërndajë favore për mediat e tij, vetëm pasi u telendis në mandatin e dytë, këta pse po e bëjnë me kaq ngut? Ç’makth i ka zënë? Çfar duan të fshehin? Ç‘krim dhe ç‘vjedhje duan të mbulojnë me mediat që kërkojnë të blejnë sërish?
Ndërsa Aleksandër Frangaj do të vazhdojë të ndërtojë godinën e tij buzë detit, këto janë pyetjet që do të bëjmë ne të tjerët. Sepse sado jo qytetare, e pa drejtë, revoltuese të jetë ngrehina e Frangajt, ajo është vetëm një krim më shumë në shkatërrimin e madh që i është bërë mjedisit tek ne. Si e tillë, ajo nuk e ka vlerën tek pak më shumë beton, tulla dhe llaç. Por tek simbolika. Sepse ai pallat që ngrihet është metafora e rrënimit të një pushteti. Atij të Rilindjes.