Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar nisjen e hetimeve pas problemeve në faqen e KQZ-së.
Kjo Prokurori ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me çdo abuzim apo keqpërdorim të votave, pas rënies së ueb faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ditën e diel.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së uebfaqes së KQZ-së,” është thënë në përgjigjen e Prokurorisë.
Natën kur sy e veshë ishin te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, platforma online e këtij institucioni doli nga sistemi për orë të tëra.
Ndërprerja shkaktoi konfuzion te publiku që priste publikimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, edhe pse zyrtarët e KQZ-së siguruan se mbledhja manuale e të dhënave, nuk do të ketë ndikim në rezultat.
Gjatë ditës së djeshme, kompania përgjegjëse për paraqitjen e rezultateve të zgjedhjeve në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, CACTTUS sh.a, ka thënë se faqja e KQZ gjatë ditës së dielës është përballur me sulme kibernetike.
Në deklaratën e tyre kjo kompani fajet i ka hedhur mbi KQZ-në. Nga kjo kompani thanë që problemi ishte i lidhur me infrastrukturën që mbështeste faqen e internetit të qasshme dhe jo me logjikën themelore të aplikacionit të votimit të zhvilluar nga ta.

















