Rëndohet rasti i familjes abuzuese në Lipjan, 6 fëmijët e tjerë dërgohen në strehimore

E publikuar: 17/03/2026 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rasti i rëndë ku dyshohet se është keqtrajtuar një fëmijë 5 vjeçar nga Lipjani është tronditës dhe thellësisht i dhimbshëm.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria për Punë, Familje, dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare pohon se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë në vendin që duhet të jetë më i sigurti për të, në familje. Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet.

Fëmija aktualisht ndodhet në trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor nga ekipet profesionale.

Nga Ministria bëjnë me dije se nga momenti i njoftimit, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve. Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në koordinim me Departamentin e Shërbimeve Sociale në Ministri, në përputhje me mandatet e tyre ligjore, kanë ndërhyrë menjëherë dhe 6 fëmijët tjerë të kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe në mbrojtje në një vend të sigurt.

“Ministri Hoti sot ka komunikuar edhe me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin janë koordinuar lidhur me këtë rast dhe e ka njoftuar për hapat që Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare ka ndërmarrë për mbrojtjen sociale dhe ligjore të fëmijëve.

Gjithashtu, ka kërkuar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit” thuhet në njoftim.

MPFVLÇ-ja deklaron se do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Qendrën për Punë Sociale dhe institucionet tjera përkatëse për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.