Renditja UEFA, Italia dhe Anglia në “luftë” për vendin e tretë

E publikuar: 06/11/2015 11:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Po bëhet gjithmonë e më e ndezur beteja për vendin e tretë në renditjen e përgjithshme të UEFA-s pasi ky është kufiri që ndan vendet me 4 skuadra në Champions League nga pjesa tjetër me më pak ekipe. Dueli më interesant është ai që po zhvillohet mes Italisë dhe Anglisë pasi ishullorët rrezikojnë seriozisht që sezonin tjetër të kualifikojnë vetëm 3 ekipe në kompeticionin më të rëndësishëm europian. Barazimi i Juventusit, fitorja e Romës dhe e tre skuadrave të tjera në Europa League e ka bërë Serie A të fitojë terren ndaj Premier League edhe me 0.25 pikë të tjera, ç’ka do të thotë se anglezët tani janë vërtet të rrezikuar.

Sipas llogaritjeve, pas çdo jave, një fitore rrëmben 2 pikë dhe 1 për çdo barazim. Kjo shumë ndahet më pas për numrin e skuadrave që kanë marrë pjesë që në fillim të sezonit në kupat europiane. Aktualisht, Italia ka 5 skuadra në garë por nuk duhet harruar që Sampdoria u eliminua që në raundin e parë. Ndryshon diskutimi për Premier League që u prezantua fillimisht me 8 skuadra por tashmë ka në lojë vetëm 6. Në bazë të llogarive, pas raundit të radhës, Italia ka fituar 1.5 pikë kundrejt 1.25 të Anglisë. Aktualisht ishullorët mbajnë vendin e tretë të klasifikimit të UEFA-s me 69.159 pikë, të ndjekur nga Italia me 65.439 dhe nëse ecuria e skuadrave angleze do të jetë e dobët edhe këtë sezon, atëherë vendi i katërt në zonën Champions do të shkojë për Serie A./ss/