Shqipëria ka mundur të rikuperojë dy vende në renditjen e fundit të FIFA-s, të publikuar këtë të enjte, duke u ngjitur në vendin e 61-të në botë me 557 pikë, nga 548 që ka pasur një muaj më parë.
Ajo që të bie më shumë në sy në renditjen e fundit është rikthimi i Italisë në 10 ekipet më të mira, por mungesa ndër to e Spanjës. Në renditjen e muajit shkurt, Italia gjendej në vendin e 12, pas Spanjës dhe Zvicrës, ndërsa tashmë për herë të parë që prej qershorit 2014 ka kapur vendin e 10.
Pas shumë viteve dominim total, si në futbollin europian, por edhe në futbollin botëror, “La Roja” ka zbritur në vendin e 11. Kujtojmë që Spanja ka fituar Botërorin e vitit 2010 dhe Europianët e viteve 2008 dhe 2012. Një periudhë e re duket se do të nisë për skuadrën iberike, edhe pse do të ketë sërish Del Bosquen në krye të pankinës, një prej trajnerëve më të shquar spanjollë, por që në Brazil nuk shkoi më shumë sesa ndeshjet e fazës me grupe.
Ky ndryshim vendesh është i vetmi ndër 10 të parët, pasi Gjermania vazhdon të mbajë vendin e parë, e ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia. Më pas vijnë Belgjika, Holanda, Brazili, Portugalia, Franca dhe Uruguaji.
Renditja e ardhshme e FIFA-s do të publikohet më 9 prill, një renditje që do të ketë përfshirë edhe rezultatet e ndeshjeve eliminatore të këtij fundmuaji, ku vlen të përmendet se Shqipëria do të presë Armeninë në “Elbasan Arena”, më 29 mars. / Top Channel