Rektori do t’i paguajë 7 mijë euro gjobë (Dokument)

E publikuar: 04/06/2015 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, përfundimisht duhet t’i paguajë 7 mijë euro gjobë për shkelje të Ligjit të punës.

Ankesa që Zejnullahu ka bërë për heqjen e gjobës i është refuzuar si e pabazuar nga Inspektorati i Punës.

Universiteti i Prishtinës dhe rektori i këtij institucioni, Ramadan Zejnullahu, janë ndëshkuar me 16 mijë euro gjobë nga Inspektorati i Punës, për shkeljen e Ligjit të punës në një konkurs të Fakultetit të Mjekësisë.

Kjo gjobë është ndarë në dy pjesë – 9.000 euro duhet të paguhen nga institucioni, përkatësisht buxheti i Universitetit, kurse 7.000 euro të tjera duhet të paguhen nga vetë rektori i UP-së, pasi që ai është dënuar edhe si person fizik.

Zejnullahu është gjetur përgjegjës për cenimin e Ligjit të punës, pasi që nuk e ka anuluar konkursin e datës 29.09.2014 për pranimin e asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Infermierisë dhe e Mamisë, ashtu siç i kishte rekomanduar Inspektorati në muajin shkurt, pas një inspektimi që kishte bërë në UP, rreth këtij konkursi. /Gazeta Fjala /

ankesa