Rektorati ua këput shpresat: S’ka shtim të afateve për provime

E publikuar: 07/10/2015 13:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka njoftuar se askush nga menaxhmenti i këtij Universiteti nuk ka premtuar se do të përmbushen kërkesat e studentëve.

“Po qarkullojnë deklarime të pavërteta sot në media rreth çështjes së kërkesave të studentëve. Askush nga menaxhmenti i UP-së nuk ka premtuar se ato kërkesa do të shqyrtohen dhe aq më pak të realizohen brenda kësaj jave”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektorati sqaron se në propozim të rendit të ditës të mbledhjes 10 shtator 2015 ka qenë edhe shqyrtimi i kërkesave të studentëve, por për arsye të njohura si shkak i ndërprerjes së mbledhjes ato nuk janë shqyrtuar.

“Mirëpo kjo nuk do të thotë që është premtuar aprovimi i tyre. Në njoftimin për media të datës 5 tetor 2015 ne kemi njoftuar opinionin se në mbledhjen e Senatit të UP të datës 02.03.2015 edhe një herë është debatuar për vendimet nr. 2/791 dhe nr. 2/792. Për t’i dhënë fund një praktike e cila vazhdon në UP që nga paslufta, Senati i UP-së në përbërje të plotë (Dekanë, Senatorë dhe Studentë Senatorë) unanimisht dhe pa asnjë votë kundër vendosi që në të ardhmen të mos procedohet asnjë kërkesë e cila bie ndesh me Ligjin mbi Arsimin e Lartë dhe Statutin e UP-së”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Më tej theksohet se ky menaxhment ka investuar që ky vit akademik të filloj në përputhje me nenin 139 të statutit të UP. “Aq më tepër, nuk mund të flitet për shtim të afateve, prandaj me keqardhje deklarojmë se çdo ndërhyrje e çrregullon fillimin e rregullt dhe me kohë të vitit akademik 2015/2016”, përfundon njoftimi nga Rektorati.