Nokia dhe Telecom Italia thonë se kanë thyer rekordin Evropian për transmetimet e të dhënave në distanca të gjata mbi një rrjet backbone.
Firmat thonë se kanë arritur shpejtësinë prej 550Gbps në një valë të vetme në rrjetin me fibër optike që shtrihet mes Romës dhe Firenzes prej 350km duke përdorur teknologjinë Nokia Photonic Service Engine 3.
Përveç kësaj arritjeje, Tim dhe Nokia thonë se kanë arritur transmetim 400Gbps mbi një distancë 900km mes Romës dhe Milanos dhe 300Gbps mbi një distancë 1,750km.
Rrjeti backbone DWDM i Telecom Italia aktualisht ka një kapacitet prej 100Gbps mbi distancat prej 1,800km dhe 200Gbps mbi distancat 800km. Rrjeti backbone përbëhet nga 16,000 kilometra fibër optike i cili lidh 65 pikat e prezencës në mbarë vendin.
Vitin e kaluar ky rrjet ka transmetuar 9,000 petabajt të dhëna, e barabartë me 2 miliardë DVD. Arritja e fundit e cila trefishon transmetimin e të dhënave krahasuar me atë ekzistues tregon se Telecom Italia ka një prej rrjeteve më të avancuara në Evropë dhe botë të fibrave optike.
Në fillim të këtij muaji rivali Italian Fastweb gjithashtu demonstroi transmetim 500Gbps në një valë të vetme dhe u krye mbi një rrjet backbone me gjatësi prej 180km mes Milanos dhe Torinos. /PCWorld Albanian