Gjatë vitit të kaluar ka pasur rekord të numrit të ankesave ndaj zyrtarëve policor.
Në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), qytetarët kanë dorëzuar rreth 2500 ankesa nga të cilat rreth 700 janë trajtuar si raste për hetim penal. Ndërkohë, gjatë vitit 2025, numri i ankesave ka shënuar rritje mbi 22 për qind, derisa për 120 zyrtarë policorë janë rekomanduar masa të suspendimit.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë për KosovaPress, bën të ditur se për rreth 200 raste janë drejtuar në prokuroritë kompetente, qoftë përmes kallëzimeve penale apo raporteve informuese.
Sipas tij, numri i ankesave ndaj Policisë së Kosovës ka shënuar rritje nga viti në vit.
Sipas Hodajt, ky numër i madh i ankesave reflekton rritjen e vetëdijesimit dhe besimit të qytetarëve ndaj IPK-së. Si rezultat i hetimeve, janë rekomanduar edhe masa suspendimi për një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.
Ankesat më të shpeshta të qytetarëve, sipas Hodajt, lidhen me gjobat në trafik dhe keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Hodaj shton se IPK-ja ka iniciuar hetime edhe mbi bazën e raportimeve mediale, përveç ankesave të drejtpërdrejta nga qytetarët. Me rritjen e numrit të ankesave, sipas tij, është rritur proporcionalisht edhe numri i zyrtarëve policorë të proceduar penalisht.
Duke folur për ankesat nga komunat veriore, Hodaj thotë se ato nuk dallojnë ndjeshëm nga pjesët e tjera të Kosovës.
Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj bën të ditur se institucioni që ai drejton synon digjitalizimin e sistemit të menaxhimit të rasteve, gjë që, sipas tij, do ta lehtësonte ndjeshëm punën.
Po ashtu, IPK-ja është në proces të përfundimit të rregullativës dhe akteve nënligjore që do të mundësojnë rritjen e numrit të inspektorëve.



















