Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka akuzuar Bashkimin Evropian se nuk po punon në zgjerimin e saj kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Rekës, blloku po e bën të kundërtën me këtë rajon.
“Në vend të zgjerimit të BE-së në Ballkan, duket se Brukseli po e zgjeron hendekun mes BE-së dhe rajonit”, ka shkruar ai në Twitter.
Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian ka lëshuar një komunikatë të hënën, ku ka thënë se zgjerimi i BE-së me vendet që janë të gatshme dhe të afta për t’i përmbushur kushtet, nuk është favorizim, por interes strategjik i tij.“Javën e kaluar, Këshilli Evropian vendosi që e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë qëndron në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë tashmë në atë rrugë dhe BE-ja gjithashtu ka ripërsëritur angazhimin e saj ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga shërbimi diplomatik i BE-së.Sipas njoftimit, vendet e Ballkanit Perëndimor me të drejtë kanë kërkuar që procesi i anëtarësimit të tyre, të gjykohet sipas meritave.“Kanë kaluar pothuajse 20 vjet që kur BE-ja deklaroi në Selanik se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së, kështu që një shkallë e caktuar padurimi nga ana e tyre, për të thënë të paktën, është e kuptueshme”.Në Samitin e mbajtur në Bruksel më 23 qershor, ku është diskutuar edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.Gjatë këtij samiti nuk është dhënë ndonjë datë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, e po ashtu Kosova nuk ka marrë ndonjë datë për liberalizimin e vizave, e as Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë statusin e kandidatit për anëtar të BE-së.