Reichel: Kosova është shumë afër liberalizimit të vizave

E publikuar: 12/10/2015 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takimin me të dërguarin e posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Ernst Reichel.

Në takim fillimisht u bisedua për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës si pasojë e veprimeve të opozitës. Ambasadori Reichel theksoi se “fajtori për këtë situatë është opozita e cila duhet t’i respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme të ia imponojë vullnetin shumicës”.

Nga ana e tij kryetari Veseli theksoi se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës. Veseli shtoi se “ Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij në një paketë projektligjesh më shumë rëndësi për zhvillimin e vendit”.

Në takim u bisedua edhe për proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik. Ambasadori Reichel theksoi se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryetari Veseli falenderoi Ambasadorin Reichel për mbështjen e fuqishme që Berlini po i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën bisneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre.