Derisa qytetarët e komunës së Prishtinës janë të detyruar që t’i paguajnë tatimet në pronë për ta regjistruar veturën, dy komuna të tjera të Kosovës po i kushtëzojnë qytetarët me pagesën e bërllokut.
Ky kushtëzim i ka vënë në siklet banorët e komunës së Klinës dhe të Istogut, të cilët po detyrohen të paguajnë borxhin ndaj shërbimeve komunale, ose në të kundërtën t’i ngasin veturat pa regjistrim.
“Ka shumë persona juridik dhe fizik që kanë obligime ndaj kompanisë ‘Ambienti’ dhe me këto kushtëzime që mendojmë se nuk cenojnë të drejtat e qytetarëve, konsiderojmë se do t’i mbledhim këto obligime”, ka thënë zyrtarja e komunës së Istogut, Jeta Balaj.
Në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, thonë se ua kanë dërguar një letër zyrtare kryetarëve të komunave se këto kushtëzime janë në kundërshtim me ligjin.
Një gjë të tillë e ka kundërshtuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke e vlerësuar si shkelje të të drejtave të qytetarëve.