Një regjisor amerikan që ka realizuar një film që pretendon se qet në shesh një zakon të keq amerikan, tani ka marrë mbështetjen financiare të Serbisë që ta krijojë filmin e ideve propagandistike ruse e serbe lidhur me fabrikimin e tregimit për “trafikimin e organeve të serbëve nga shqiptarët” gjatë luftës së Kosovës. Paul Kampf ka realizuar ndër të tjera edhe filmin “Imprisoned”, për të cilin kritika amerikane ka hedhur dyshime. Gazeta prestigjioze amerikane LA Times, ka thënë se filmi “Imprisoned” nuk pretendon se bazohet në një histori të vërtetë, por gjithashtu nuk e shkëput askënd që të mendojë se mund të jetë ashtu, transmeton KosovaPress. Megjithëse, në dhjetor të vitit 2019, Qendra e Filmit të Serbisë (Filmski Centar Srbije) nuk e kishte financuar projektin “Žetva” (Korrja) e regjisorit Paul Kampf, sivjet, i njëjti film, ka marrë fondet e kërkuara për fillimin e xhirimit. Sipas të dhënave në IMDB, filmi “Žetva” (korrja) do të ketë buxhet përafërsisht 15 milionë euro. Gjersa, mediat në Serbi, Paul Kampf-in e quajnë “regjisor i famshëm amerikan”, filmi i tij i fundit “Imprisioned”, ka marrë kritika shumë negative nga e famshmja amerikane “Los Angeles Times”, duke e quajtur madje si “projekti që ua ka shpenzuar talentin aktorëve”. Premiera e filmit “Imprisoned” nuk u shfaq në SHBA, por në Rusi. Kjo e rrit edhe më shumë vlerësimin e “Los Angeles Times” se, filmi ka përmbajtje jo të vërteta, por të cilat nuk ia bën me dije shikuesit, duke e lënë të nënkuptohet se bazohet në ngjarje të vërtet. “Duke pasur parasysh se sa pak amerikanë dinë për Porto Rikon, një territor i ShBA-sw, është e papërgjegjshme të tregoni burra të ekzekutuar me varje, duke e harruar faktin se dënimi me vdekje në atë ishull është shfuqizuar në vitet 1920” – shkruan Los Angeles Time. Filmi “Imprisoned”, ka marrë vlerësime negative edhe nga shikuesit në platformat kinematografike në internet, deri te komentet “mendova se ishte një reklamë parfumi”. Edhe filmi që paska filluar të xhirohet lidhur me storien e propagandës ruso-serbe do të përpiqet që ta manipulojë shikuesin me tregime të trilluara. Në fakt, vet propaganda ruse, me të ashtuquajturat “masa aktive” dhe të sponsorizuara nga Kremlini zyrtar, një nga pikat kryesore e ka goditjen e audiencave me gënjeshtra aq të mëdha, dhe vështirë të vërtetueshme, sa që shumica e audiencave detyrohen t’i besojnë. Qëllimet e propagandës ruse, por edhe asaj serbe (si statcion i fundit i ndikimit rus në Ballkan), janë që ta thyejë moralin qytetar perëndimor, ta përçajë shoqërinë dhe ta humbë besimin e saj, prandaj është gjendur një regjisor amerikan, si Paul Kampf, për ta përçuar mesazhin se gjoja në Kosovë, shqiptarët paskan tregtuar me organe të viktimave serbe. Kështu ka ndodhur me HIV AIDS-in, kur rusët thanë se është shpikur në laboratorët e CIA-s. Rusët dhe shërbimi i tyre KGB, së pari kishin botuar një lajm në një gazetë indiane për këtë trillim, e më pas edhe amerikanët e besuan se HIV AIDS u krijua në laborëtorët e CIA-s. Njëjtë, edhe sot lidhur me COVID-19, rusët kanë hutuar aq shumë opinionin botëror, sa që njerëzit sot nuk besojnë se ky virus ekziston ani pse merr jetë./kp/ |