Regjisori nga Lugina: Prokuroria e Serbisë më kërkoi ta heqë logon e Qeverisë së Kosovës në filma (VIDEO)

E publikuar: 20/07/2023 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Gani Veseli,

Regjisori shqiptar nga Lugina e Preshevës, Gani Veseli, është intervistuar sot nga prokuroria në Vranjë për shfaqjen e dy filmave shqip, “I pabesi” dhe “Heshtja vret”.

Sipas Veselit, prokuroria në Vranjë po insiston që filmat të mos jepen në Preshevë e Bujanoc, pasi sipas vlerësimit të Shtëpisë Filmike në Serbi, filmi “I pabesi”, është vlerësuar se ka nxitje të urrejtjes ndër-nacionale e fetare.

“Ndërsa për filmin “Heshtja vret”, nuk ka diçka konkrete që janë ndalë, përpos që më kanë sugjeruar që të hiqet stema e Kosovës në film dhe të vendoset “+16”. Kur fillon filmi është logoja e Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Nacional Kombëtar Shqiptar në Luginë dhe është logoja e produksionit tim”, tha Veseli në “Edicioni Special në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se autoritetet serbe ia kanë ndërruar emrin e filmit “I pabesi” gjatë përkthimit, duke ia ndërruar në “I pafe”.

“Pastaj, ka ndodhur që nga biseda informative që jam marrë, më është ndërruar titulli në përkthimin e gjuhës serbe, ku ka marrë një konotacion krejt ndryshe, që është shqetësuese e sot edhe me avokatin tim e kemi nxjerrë si problematik, pasi filmi quhet “I pabesë”, ndërsa këta kur e kanë përkthyer, ka dalë “I pafe””, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Veseli më tej bëri të ditur se gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ardita Veselin, këshilltaren e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, teksa për nesër paralajmëroi edhe takim me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Ardita Sinanin, që nga nata që jam marrë në bisedë informative e edhe sot gjatë tërë kohës. Realisht e kam informuar se çfarë ka ndodhur, dhe ajo e ka informuar edhe Qeverinë e Kosovës. Nesër do të kem një takim me minsitrin e Kulturës, Hajrulla Çeku”, tha Veseli.