Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve në rastin e sulmit në Banjskë

E publikuar: 16/01/2026 12:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trupi Gjykues në Gjykatën Themelore ka refuzuar kërkesën e avokates së të akuzuarit Dushan Maksimoviq për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve shtesë, në vazhdim të seancës gjyqësore për sulmin në Banjskë, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimit të mbrojtjes dhe kundërshtimeve të Prokurorisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të palës së dëmtuar, ndërsa trupi gjykues vlerësoi se dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nuk do të ndikonte në vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së të pandehurit.

Gjatë seancës, kryetari i Trupit Gjykues, Ngadhnjim Arrni, kërkoi nga avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviqit, Jovana Fillipoviq, që të sqarojë arsyeshmërinë e propozimit për dëgjimin e dëshmitarëve.

Në fjalën e saj, ajo theksoi se dëshmitarët kanë njohuri të drejtpërdrejta lidhur me vendndodhjen e klientit të saj në momentin kritik.

“Dëshmitarët duhet të dëgjohen, kanë njohuri të drejtpërdrejta në lidhje me atë se ku ka qenë Dushani në momentin kritik, ata mund të na japin informata. Konsiderojmë se të gjithë këta dëshmitarë me njohuritë e tyre do të na zbulojnë se ku, kur dhe çfarë ka bërë Dushan për kohën kur është ngritur aktakuza. Unë e di që bëhet fjalë për një numër të madh të dëshmitarëve, por kjo është një vepër serioze”, tha ajo.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi, kundërshtoi propozimin e mbrojtjes, duke theksuar mungesën e relevancës dhe individualizimit të dëshmitarëve të propozuar.

“Lidhur me propozimin për dëgjimin, pas analizimit të kësaj shkrese, kjo prokurori e kundërshton propozimin nga ana e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve për arsye se propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimit. Mbrojtja ka propozuar dëgjimin e një numri të madh të dëshmitarëve nga i njëjti lokalitet, duke u kufizuar në pretendime të përgjithshme, sepse të njëjtit do të flasin për lëvizjet e të akuzuarit. Nga ky propozim këta dëshmitarë nuk rezultojnë se do të na tregojnë diçka konkrete lidhur me atë se çka ka propozuar mbrojtja. Cilat janë rrethanat kohore dhe vendore për të cilat ata do të na flasin apo se si këta dëshmitarë do të ndihmojnë në vlerësimin e fakteve. Një propozim i tillë mbetet abstrakt dhe jo i lidhur drejtpërdrejt me akuzën. Nga informacionet dhe shkresat e lëndës rezulton se një pjesë e konsiderueshme e këtyre dëshmitarëve të propozuar nuk kanë të dhëna të plota personale, në disa raste nuk mund të evidentohet identiteti i saktë i këtyre personave, për çka e bën të pamundur që këta të konsiderohen të besueshëm. Nga përmbajtja e kësaj shkrese rezulton se disa nga personat e propozuar janë të ndërlidhur mes vete dhe me të akuzuarin, ku mbrojtja nuk i paraqet këta si dëshmitarë okularë për ndonjë veprim penal konkret që është objekt i akuzës, por i ka propozuar vetëm si emra. Kjo tregon se dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes ose alibi kolektive, pa ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar dhe disa që gjykata i ka administruar. Përbën një rrezik real të zvarritjes së kësaj procedure, për shkak se dëgjimi i këtyre dëshmitarëve nuk ka ndonjë relevancë konkrete, nuk kanë individualizim dhe nuk kanë identitet të besueshëm”, tha ai.

Edhe avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, u shpreh kritik ndaj qasjes së mbrojtjes.

“Nuk po e kuptoj narrativën e mbrojtjes për të krijuar alibi përmes shokëve të klientit të saj. A ka qenë a s’ka qenë aty klienti i saj? Çka është thelbi i aktakuzës? Organizimi dhe pjesëmarrja në një sulm të armatosur për një shkëputje të veriut të Kosovës. E tash mbrojtja po tenton me 10 dëshmitarë, disa prej tyre që nuk i kanë as shënimet e plota, me kriju alibi. Kemi prova të pakundërshtueshme për këtë rast. Është një lloj për të zvarritur procedurën”, tha ai.

Ndërkaq, avokati Naim Rudari, përfaqësues i të dëmtuarit Alban Rashitaj, theksoi se provat e propozuara nga mbrojtja nuk mund të rrëzojnë provat ekzistuese materiale.

“Mbrojtja mund të paraqesë prova për konstatimin e alibisë vetëm 30 ditë pas konfirmimit të aktakuzës dhe dispozita është e qartë, jo më vonë se 30 ditë. Ne jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë edhe dispozita të tjera që i lejojnë mbrojtjes të thërrasë dëshmitarë, kurdo. Në rastin konkret, kolegia që propozoi dëshmitarët tha se ata do të dëshmojnë se kanë bërë grill së bashku dhe kjo apo çfarëdo pretendimi tjetër nuk mund ta rrëzojë dhe ta zhbëjë provën e uniformës së Maksimoviqit dhe antiplumbin në dhomën e tij të fjetjes dhe ka prova të mjaftueshme se ai ka qenë pjesë aktive, që nga pjesëmarrja në rojet e urës e deri në ditën kritike”, tha ai.

Pas konsultimit, Trupi Gjykues shpalli aktvendimin me të cilin refuzoi propozimin e avokates Fillipoviq për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve, si dhe propozimin për ekspertizë të krahasimit të uniformave.

Sipas gjykatës, këto prova nuk do të ndryshonin vlerësimin gjyqësor mbi rastin, ndërsa propozimi për dëgjimin e dëshmitarit Radosaljeviq mbetet valid sipas aprovimit paraprak të gjykatës.

“Merr aktvendim, refuzohet propozimi i avokates Jovana që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen nëntë dëshmitarët e propozuar, kjo për faktin se trupi gjykues ka vlerësuar se as nga vetë pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk rezulton roli i drejtpërdrejtë aktiv i të pandehurit në datat kritike të përshkruara në parashtrime, për çka nuk do të ndryshonte vlerësimi i gjykatës mbi pafajësinë apo fajësinë e të pandehurit, pasi i njëjti akuzohet vetëm se ka pasur rol ndihmues të grupit të organizuar, gjithnjë sipas prokurorisë. Në të njëjtën kohë refuzohen propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës së krahasimit të uniformave, kjo për faktin se ka vlerësuar se një vlerësim i tillë është i thjeshtë nga vetë përmbajtja e fotografive, po qe se uniforma është e njëjtë apo jo me të pandehurin, dhe e gjithë kjo do të vlerësohet në besueshmërinë e provave dhe gjendjes faktike. Po ashtu, po qe se arma ka qenë snajper apo automatike nuk ka ndonjë relevancë për trupin gjykues. Mbi këto arsye, trupi gjykues ka vlerësuar që të refuzohet ky propozim i mbrojtjes”, tha ai./EO