Refuzohen 99 për qind e kërkesave për azil të kosovarëve

E publikuar: 02/05/2015 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i landit gjerman të Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil ka kërkuar që të përshpejtohen sa të jetë e mundur procedurat e trajtimit të kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës.

Kërkesat e azilantëve nga Kosova refuzohen në masën 99 për qind, është shprehur kryeministri i landit për gazetën e Hanoverit “Hannover Presse” në botimin e së shtunës, trasnmeton albinfo.ch.
Stephan Weil ka kritikuar faktin që trajtimi i këtyre kërkesave zgjat më shumë se një vit, megjithëse vetë azilkërkuesit e kanë të qartë se ata nuk kanë të drejtë azili në Gjermani.
Qëllimi duhet të jetë sipas kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme që më së voni pas një tremujori të kemi një vendim të bazuar ligjërisht. Me procedime të tilla të përshpejtuara mund të arrihet reduktimi i numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit.
Në muajt e fundit është rritur në mënyrë masive numri i azilkërkuesve nga vendet e rajonit, sidomos nga Kosova, Shqipëria e Serbia. 40 për qind e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani.
Për autoritetet ky fluks bllokon fonde dhe punonjësit e zyrave të azilit për të ndihmuar ata refugjatë, të cilëve u është njohur azili, të ardhur nga vendet e luftës dhe krizave.
Kryeministri i landit të Saksonisë kërkon shtimin e personelit për Zyrën Federale të Migracionit, dhe marrjen e shpenzimeve për trajtimin e kërkesave të azilit nga federata.
Më 8 maj kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar në një takim të nivelit të lartë, ku temë debati do të jenë shpenzimet e akomodimit dhe integrimit të refugjatëve.