Refuzimi historik e politik

E publikuar: 20/06/2016 00:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

????????????????????????????????????

Flamur Shala
Refuzimi është “kundërshtimi i prerë”, është mospranimi i një sendi, pune a veprimi që kërkohet për t’u bërë. Refuzimi politik kuptohet si mospranimi, largimi a distancimi nga veprimet politike jokonvergjente me konceptin bazë të grupit a subjektit politik brenda të cilit ndodh “transformimi” që nxjerr në pah, më shumë se kaq, aspiratat për ndryshime jo ose krejt “rrënjësore” sistemore dhe ndodh kështu, kur shkëputja nga ai koncept a subjekt shënon ndarjen formale.
Esencialisht, ky lloj refuzimi është ambicie politike që del nga guximi për të ecur ndryshe. Refuzimi nuk është krejt aftësi, sa është më shumë guxim. Pra jo gjithëherë “guximi” politik është aftësi dhe e kundërta. Duhet dalluar atë që del nga aftësia dhe refuzimin që shpërthen nga guximi. Në politikë ka njëfarë mesi, që anon kah konjuktura reale për veprime politike “të arsyeshme”, herë të favorshme e herë me kompromise. Fundja politika është kompromis, është “arti i së mundshmes”.
Të jesh pjesë e një grupi politik, domethënë të kesh “guximin” të ecësh “konjukturalisht”, të jesh pajtuar me konceptet politike, me veprimet politike dhe të jesh pjesë e debatit mbi pasojat politike të çfarëdoshme, që i bart grupi a subjekti për një periudhë të caktuar. Nuk u bë kjo, ndodh tjetra, ndodh shpërfaqja e refuzimit “shpërthyes”; në politikë ndodh më pak refuzimi nga aftësia. Në raste të veçanta lindin dhe zhvillohen fraksione, që, historikisht, nuk dalin të kenë gjalluar mirë.
Dhe nocioni merr kuptim më të gjerë, historiko-politik, kombëtar e shoqëror, me vlerë historike, kthese e përparimi ose krejt përmbysës e kundërhistorik. Edhe trajtimi për refuzimin me vlerë historike kërkon argumente dhe mbështetje tjetër metodologjie, ndryshe nga refuzimi politik sinkronik, i një konjukture politike ndaj një konjukture tjetër, brenda një grupi politik a sistemi qeverisës shtetëror.
Kështu, refuzimi politik, varësisht nga rëndësia, koha, karakteri, përmbajtja dhe bartësit e saj, është historik, është kombëtar, është vetëdije e konsoliduar viteve e dekadave, vetëdije intelektuale, i prehtë për nga qëllimi. Dhe, tjetri në rrethana të tjera historike, mund të jetë tipik politik sipas interesave ditore të relacioneve të shumanshme politike ndërpartiake dhe brenda partish, të grupeve politike, i mundësive për zhvillimin sipas konjukturave të zgjedhura, të caktuara aktuale politike.
Refuzimet “e mëdha” politike janë historike. Të tillat karkterizohen me maksimën “të jesh a të mos jesh”, janë me karakter tipik kombëtar e historik, me vizion, jo vetëm politik; janë dëshmi sakrifice deri me përrenj gjakderdhjeje. Refuzime tipike janë, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, Bujani (1943-1944), refuzimi 1944-1945 i Shaban Polluzhës dhe mijëra bashkëluftëtarëve të tij në Kosovë. Janë refuzime ato të grupeve politike me veprime ilegale gjatë 45 viteve të regjimit komunist serb në Kosovë.
Refuzimet historike me karakter kombëtar kanë kushtuar me përpjekje dekadash e shekujsh edhe me çmimin më të lartë, jetën e njerëzve, bartësve të tyre. Historikisht dalin të jenë këto, refuzime të mëdha, të favorshme dhe trasuese të kërkesave të pandërprera për liri dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, gjithandej.
Pra, refuzimet e mëdha historike bartin emra, liderë dhe koncepte refuzuese historike. Në këtë vazhdë, gjithashtu, tipike e këtij refuzimi politik dhe historik është Lëvizja paqësore aktive e paraluftës në Kosovë; kjo Lëvizje po i përbashkonte në mos të gjithë, shumë nga “refuzuesit” e mëhershëm, njerëzit e grupeve, që i kishin rezistuar në mënyra të ndryshme regjimit serb në Kosovë; Të burgosurit politikë, të përndjekurit e tjerë, intelektualë të tjerë e aktivistë, studentë e punëtorë, që përbënin faktorët kryesorë të frontit të përbashkët refuzues ndaj shtetit diskriminues serb në Kosovë.
Refuzuese politike me përmasa kombëtare e historike, sublimuese e kërkesave shekullore të shqiptarëve, ishte dhe mbetet Ushtria Clirimtare e Kosovës dhe lufta e saj, e cila poashtu po e refuzonte, sa gjendjen aktuale politike mbi shqiptarët, po aq po e synonte me guxim ndryshimin e saj, refuzimin në tjetër mënyrë të regjimit serb deri në çlirimin e Kosovës.
Luftat çlirimtare dhe përpjekjet për të drejtat njerëzore mbeten refuzimet më të pakompromise, ato nxjerrin kufij të zhvillimit me këmbëngulje, ndajnë epoka.
Ndërkaq, refuzimi politik, i ashtuquajturi ditor, “johistorik”, mund të vijë nga disa arsye:
E para, nga mospranimi i “devijimit” ose i “degradimit” të konceptit politik sipas konventave të grupit, pjesë e të cilit janë akterë me aktivitete të zhvilluara;
E dyta, nga mospranimi nga të tjerët i koncepteve të proklamuara të “refuzuesit”, pak më ndryshe nga të tjerët; refuzimi i tyre nga “shumica e grupit” dhe
E treta, nga “evoluimi” i konceptit politik, nën emrin e një koncepti e platforme të re, që nënkupton formimin e një grupi të ri politik, pjesë e të cilit janë identifikuar akterët, tanimë.
Refuzimi vjen edhe nga zhgënjimi, për të mbetur edhe pak shpresë e për të ngjallur diçka nga mundësia për të shpëtuar një kauzë. Në demokraci, kauza, sa e drejtë, është edhe relative si e tillë për t’u realizuar. Është e tillë brenda kuadrit të demokracisë, të zhvillimit të saj dhe brenda vizionit për përparim të ditëpërditshëm.
Është e rrezikshme për demokracinë kur me shantazhe shumëçka mund të shndërrohet në kauzë me “përndjekje” dhe linçime politike ndaj të tjerëve.
Refuzimi politik i këtyre ditëve, me akterë të llojit të vet, është ambicie për rikthim, por jo më, pas një “kauze” dhe bartësve të saj, me veprimtarë politikë me veprime nga më të ndryshmet. “Dorëzimi” i opozitës u bë shkak për refuzim ndaj saj. Opozita dhe kauza e saj u shthur. Para kujt u dorëzua opozita? Para atyre nga të cilët u mund politikisht dje e pardje, ose u mund nga vetvetja; “kalaja u mor, u shëmb nga brenda saj”.
Kështu, VV pati shancin që nga pozita e pushtetit në Prishtinë t’i kthehet formatizimit politik brenda vetes dhe jo të ndodhte e kundërta, ku nga zyrat politike të devijojë pushteti i saj dhe zhvillimi i kryeqytetit. Pritej që të ndodhte refuzimi ndaj VV, sa i Ilirit po aq i Shpendit, si një pikënisje që të marrë frymë zhvillimi në Prishtinë e të mos ndodhte përjashtimi nga normat elementare të demokracisë.