Reforma, ja risitë që sollën marrëveshjen

E publikuar: 21/07/2016 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëveshja është dashur mbi 8 orë për t’u arritur dhe ka nisur që në mesditë me disa takime që ka pasur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe dy ambasadorët që kanë qenë faktor kyç në arritjen e kësaj marrëveshje. Ka qenë pjesë e negociatave, por nuk ka qenë prezent fizikisht në takim, edhe kryeministri Edi Rama.

Marrëveshja u arrit pas negociatash të vështira për një nen, për mënyrën se si do të zgjidhen nga Parlamenti dhjetë anëtarë, 5 në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 5 në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ata zgjidhen nga Parlamenti, por më parë më parë do të kalojnë në një veting nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Ky është një kriter i ri që është futur në marrëveshje sepse OMN-ja më përpara do të votonte vetëm anëtarët komisionit që do të bënin vetingun e të tjerëve.

Më pas, anëtarët që vetohen pasi të bëhen aplikimet (aplikimet janë pakufizime nga ndonjë institucion si Dhoma e Noterisë apo Avokatisë siç ishte më përpara) do të shkojnë në komisionin 5 anëtarësh, 3 të mazhorancës dhe 2 të opozitës.

Në këtë komision do të përzgjidhen me rekomandimet e OMN-së dhe do të krijohet një listë konsensuale, pra nuk do të ketë votë. Pasi është arritur konsensuesi në këtë listë, në komisionin 3+2, kjo listë e përbashkët do të shkojë në bllok në Parlament dhe aty votohet me një shumicë të cilësuar prej 2/3-ve. Nëse lista nuk miratohet anëtarët do të zgjidhen me short.

Ky është varianti që i është dhënë Top Channel nga Partia Demokratike që është arritur një marrëveshje.

Gjithsesi, ky është një variant që pritet të konfirmohet zyrtarisht edhe kur ai të zbardhet sepse mund të mblidhet edhe Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

/ Top Channel