Jamie Shea
Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka folur për klankosova.tv, lidhur me zhvillimet e fundit në vend, karshi situatës së krijuar me dialogun dhe çështjen e targave në raport me Serbinë.
Tashmë profesor për Strategji dhe Siguri, Shea jep qëndrimin e tij se nuk sheh një konflikt tjetër të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.
”Forca e KFOR-it të NATO-s mbetet në Kosovë për të garantuar mjedisin e sigurisë. Për më tepër NATO ka forca rezervë që mund të dërgohen në Kosovë me një njoftim të shkurtër për të mbështetur KFOR-in dhe për të ndihmuar në ruajtjen e paqes nëse është e nevojshme. Kohë pas kohe mund të shihnim disa tensione apo demonstrata, siç e pamë kohët e fundit për çështjen e targave të veturave, por KFOR-i në bashkëpunim me policinë e Kosovës është mësuar mirë të merret me këto situata dhe të rivendosë qetësinë dhe rendin”.
E deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, ku shpesh përmendte luftën, vlerëson se vinin si pasojë e zhgënjimit nga mungesa e progresit në negociata mes Kosovës dhe Serbisë.
”Unë shoh që kryeministri [Albin] Kurti po shpreh zhgënjimin e tij për mungesën zhgënjyese të progresit në Dialogun Prishtinë-Beograd, por nuk shoh një konflikt tjetër të armatosur”.
Ndërsa lidhur me situatën e krijuar nga agresioni rus, Shea thotë për klankosova.tv, se ukrainasit suksseshëm po zmbrapsin rusët, ani se Putin po përdorë masa të pamatura përfshirë këtu dhe kërcënimet bërthamore.
”Ukrainasit padyshim që kanë sukses në zmbrapsjen e rusëve. Putin është qartazi në këmbë dhe po përdor masa të dëshpëruara dhe të pamatura si mobilizimi i popullsisë civile ruse dhe tërheqja e Iranit në luftë duke u mbështetur gjithnjë e më shumë në dronët dhe raketat iraniane. Ai po bën gjithashtu kërcënime bërthamore krejtësisht të papërgjegjshme në një përpjekje për të frikësuar Perëndimin që të pranojë rezultatet e agresionit rus dhe qasjen “Might is Right” ndaj fqinjëve të saj demokratikë”.
”Për shkak se Putini nuk mund të fitojë në fushën e betejës, ai po përqafon një strategji të re barbare të shkatërrimit të infrastrukturës civile të Ukrainës, në mënyrë që të privojë popullin ukrainas nga energjia elektrike, ngrohja, ushqimi dhe uji ndërsa i afrohet dimrit. Ky është një shënjestrim i qëllimshëm i civilëve dhe një krim lufte dhe besoj se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij do të përballen me padi nga një gjykatë ndërkombëtare për krimet e luftës sapo të përfundojë konflikti. Por rezistenca e Ukrainës demokratike është frymëzuese dhe NATO dhe BE nuk e lëshojnë vendosmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën me armë të avancuara, ndihmë humanitare dhe financa”.
Teksa qasjen e Serbisë, duke u rreshtuar krah Rusisë, e quan tejet zhgënjyese anise për të, e parashikueshme. Kjo meqë siç specifikon ish-zëdhënësi i NATO-s, Serbia dëshiron të jetë në dy pozicione.
”Është zhgënjyese por në të njëjtën kohë e parashikueshme. Serbia dëshiron të balancojë mes Lindjes dhe Perëndimit dhe të jetë në kampin evropian si dhe në kampin e autoritarëve në të njëjtën kohë. Kështu që Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë pas agresionit të saj kundër Ukrainës. Serbia vazhdon të mirëpresë biznesin rus, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe për të bashkëpunuar ushtarakisht me Moskën. Por të ulesh në gardh, nuk është një strategji e zbatueshme në planin afatgjatë”.
”Nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e Evropës dhe t’i bashkohet BE-së, ajo duhet të mbështesë dhe respektojë vlerat evropiane dhe të demonstrojë solidaritet me partnerët e saj evropianë. Një shtet anëtar i BE-së nuk mund të adoptojë një qasje a la carte ndaj BE-së, ku interesi i ngushtë personal gjithmonë merr përparësi dhe vendi gëzon të gjitha përfitimet ekonomike, por refuzon të marrë përgjegjësinë për objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
Megjithatë kjo gjë s’duhet të përpihet lehtësisht, thotë Shea, për klankosova.tv.
”Në fund të fundit, popullit serb do t’i duhet të zgjedhë në cilin sistem do që vendi i tij të jetojë në të ardhmen: demokraci liberale dhe liri individuale në një Bashkimi Evropian ose në shoqëritë e izoluara e të mbyllura të kampit autoritar”.
Si e vlerësoni marrëveshjen e fundit mes Serbisë dhe Rusisë?
”Është një nga disa dhe një arsye pse Komisioni Evropian vuri në dukje në raportin e tij të fundit të zgjerimit, të publikuar javën e kaluar, se Serbia duhet të përafrohet me objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së (për shembull sanksionet kundër Rusisë dhe Iranit) nëse është serioze dëshira për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së”.
Mbi efektin e kësaj marrëveshjeje ruso-serbe, Jamie Shea, potencon se Serbia assesi nuk duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, pa e njohur zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës dhe t’i normalizojë raportet e saj me të.
”Pikëpamja ime dhe që e kam deklaruar shumë herë, është se Serbia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së derisa të ketë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet e saj me të (përfshirë ndalimin e fushatës për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare)”.
”Gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe për të ndjekur marrëdhënie të mira me fqinjët në një frymë kompromisi dhe angazhimi konstruktiv më duket si një vlerë thelbësore e anëtarësimit në BE. Natyrisht kjo do të thotë se Kosova duhet të demonstrojë të njëjtën qasje konstruktive, por negociatat duhet të bazohen në realitete, dhe mohimi i Beogradit kur bëhet fjalë për trajtimin e Kosovës si një vend real dhe një shtet i pavarur nuk i ndihmon gjërat”.
”Sa i përket BE-së, Brukseli nuk thotë se Beogradi nuk mund të ketë një marrëdhënie me Moskën, nëse dëshiron një të tillë. Ka liderë të BE-së që ende flasin me Putinin (edhe pse më pak se në të kaluarën) dhe Presidenti Vuçiq sigurisht që mund të bëjë të njëjtën gjë. Por ajo që BE-ja me të drejtë pret është që vendet kandidate që negociojnë për t’u bashkuar me BE-në dhe për të marrë të gjitha përfitimet e anëtarësimit, duhet të tregojnë solidaritet dhe të zbatojnë politikën e jashtme dhe masat e sigurisë të BE-së, siç janë sanksionet ekonomike”.
E për rrugëtimin e Kosovës në aspektin e sigurisë, që nga paslufta, profesori i njohur për Strategji dhe Siguri, thotë se me asnjërin prej udhëheqësve të institucioneve të Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka komunikuar.
Megjithatë për tensionet e paralajmëruara ish-zëdhënësi i NATO-s që ndihmoi Kosovën gjatë kohës së luftës, për klankosova.tv shprehet i gatshëm të ndihmojë përsëri në çdo mënyrë.
”Nuk kam qenë në Kosovë për disa vite për fat të keq për të parë lidershipin dhe për të shkëmbyer perspektiva. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo mënyrë që mundem, por jo të ndërhyj”.
Ndërkaq lidhur me rekomandimin e ndërkombëtarëve që Qeveria Kurti të shtyjë për 10 muaj zbatimin e reciprocitetit për targat, Jamie Shea thotë se kjo duhet të ndodhë vetëm nëse ka një zgjidhje konstruktive, derisa shprehet për klankosova.tv, se edhe administrata publike në veri, duhet të përshtatet me normat e Kosovës në tërësi.
”Unë i kuptoj meritat e një shtyrjeje me kusht që koha e fituar të përdoret për negociata serioze dhe me synimin për të rënë dakord për zgjidhje konstruktive – dhe jo thjesht për të shtyrë gjërat dhe për të zgjatur status quo-në”.
”Është e qartë se administrata publike, veçanërisht në veri, duhet të reformohet, modernizohet dhe të përshtatet me normat dhe standardet e Kosovës në tërësi. Kjo është një veçori e çdo shteti modern që i nënshtrohet sundimit të ligjit dhe administratës së duhur publike”.
Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, po ashtu nuk pajtohet me idenë se mes Kosovës dhe Serbisë, këtë vit mund të ketë një marrëveshje përfundimtare, megjithatë shfaqet pak optimist.
Kjo, anise siç potencon, Brukseli dhe Washingtoni po njohin rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, pas një periudhe të neglizhencës.
”Duke pasur parasysh precedentin e kaluar dhe shtetin aktual, ndoshta jo. Por është e rëndësishme që BE-ja, SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar të vazhdojnë të përpiqen dhe të vazhdojnë presionin. Për fat të mirë, BE-ja dhe SHBA-ja tani po ri-angazhohen në Ballkanin Perëndimor duke emëruar të dërguar të posaçëm dhe duke rritur praninë e tyre”.
”Javën e kaluar Komisioni Evropian më në fund rekomandoi që Bosnjë Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE. Pra, Brukseli dhe Washingtoni, pas një periudhe të neglizhencës relative, njohin rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe po punojnë më mirë së bashku për ta çuar rajonin përpara. Pra, kjo më bën pak më optimist se më në fund do të shohim një progres real edhe në dialogun Prishtinë-Beograd”./klankosova/