Një zyrtar nga e ashtuquajtura Republikë Popullore e Donjeckut në lindje të Ukrainës ka kërkuar nga Kievi të shpjegojë se përse nuk ka respektuar afatin e caktuar për t’i dhënë kësaj “republike” dhe një rajoni tjetër separatist pro-rus stausin special.
Në bazë të marrëveshjes për armëpushim të arritur më 12 shkurt midis liderëve të Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, Parlamenti i Ukrainës është dashur t’iu japë zyrtarisht statusin special Donjeckut dhe Luhanskut.
Sipas marrëveshjes, Kuvendi i Ukrainës është dashur të ofrojë këtë status që garanton autonomi më të madhe, brenda një muaji.
Nuk ka pasur ende raporte nga Kievi, të cilat tregojnë se Kuvendi ka miratuar masën.
Denis Pushilin, përfaqësues i “Republikës Popullore të Donjeckut” në Grupin e Kontaktit për zgjidhjen e situatës në Ukrainë, ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që të mbahen takime të tjera për normalizimin e situatës në Ukrainë, derisa Parlamenti i këtij vendi nuk miraton marrëveshjen për statusin special.