Feston Reali i Madridit! Sigurisht jo Reali i futbollit, që e mbylli sezonin pa asnjë trofe, por Reali i basketbollit, që për të nëntën herë në histori shpallet kampion i Euroleagues. Një triumf i arritur 20 vjet pas suksesit të fundit në këtë kompeticion. Pas dy finaleve të humbura radhazi, madrilenët mposhtën 78-59 Olimpiakosin, që gjatë periodës së dytë realizoi vetëm 9 pikë, me Vasilis Spanulis i cili humbi finalen e parë në karrierë, falë një mbrojtje efikase të spanjollëve.
Reali i nisi takimin me dy kosha të shpejtë, por Olimpiakos, u kundërpërgjigj menjëherë duke e mbyllur periodën e parë me një avantazh prej katër pikësh, me tabelën elektronike që shënonte 15:19.
Një tjetër dypikësh në fillimit të periodës së dytë i dha avantazhin më të thëllë skuadrës greke në këtë finale, pasi në vazhdim gjithcka foli për Realin, që e mbylli pjesën e parë 35 – 28. Avantazhi prej 7 pikësh u ruajt me fanatizëm edhe në periodën e tretë, por më pas Olimpiakosit i shteruan energjitë, duke u dorëzuar pa kushte në periodën e fundit, ku diferenca erdhi duke u rritur derisa Reali nisi të festonte me 19 pikë avantazh. Vasilis Spanulis zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të dobëta, teksa relizoi vetëm 3 pikë në 30 minuta e 6 sekonda lojë, por edhe Rudi Fernandez i Realit nuk është se shkëlqeu, pasi i shtoi skuadrës së tij vetëm 7 pikë./ss/