Real Madridi gjen menjëherë pasuesin e Alonsos

E publikuar: 12/01/2026 21:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas ndarjes me Xabi Alonson me marrëveshje të ndërsjellë, Real Madrid C. F. ka zyrtarizuar emërimin e Alvaro Arbeloas si trajner të ri të ekipit të parë. Klubi madrilen njoftoi se Arbeloa vjen në këtë post pas një rruge të gjatë dhe të suksesshme brenda strukturave të akademisë së Realit, duke konfirmuar besimin te figura që përfaqëson vlerat dhe identitetin e klubit.

Arbeloa ka qenë trajner i Castillas që nga qershori i vitit 2025, ndërsa karrierën e tij si trajner e ka ndërtuar tërësisht në akademinë e Real Madridit që nga viti 2020. Ai ka udhëhequr ekipet U-14, U-16 dhe U-19, duke fituar disa trofe të rëndësishëm, përfshirë tripletën historike me U-19 në sezonin 2022-2023 (Liga, Kupa e Mbretit dhe Champions Cup), si dhe titullin kampion në sezonin 2024-2025.

Si futbollist, Álvaro Arbeloa ishte pjesë e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e Real Madridit, duke luajtur 238 ndeshje zyrtare mes viteve 2009 dhe 2016 dhe duke fituar tetë trofe madhorë, përfshirë dy Liga të Kampionëve. Me përfaqësuesen e Spanjës, ai ishte pjesë e brezit legjendar që fitoi Kupën e Botës 2010 dhe dy Kampionate Evropiane, duke u paraqitur 56 herë me fanellën kombëtare.