Real Madrid dhe Wolfsburg hedhin nga një hap të madh drejt çerekfinaleve të UEFA Champions League. Spanjollët arritën të dilnin me një fitore 2-0 nga “Olimpico” kundër Romës, duke e lehtësuar punën për sfidën e kthimit në “Santiago Bernabeu”, ndërsa gjermanët kaluan 3-2 Gentin në Belgjikë falë formës fantastike të sulmuesit Julian Draxler. Në takimin e Romës, sfida ishte e ekuilibruar pasi në pjesën e parë të dyja skuadrat krijuan disa raste të pastra për të shënuar por një gjë të tillë e bëri Cristiano Ronaldo në minutën e 57, duke realizuar një gol me shumë peshë për skuadrën e drejtuar nga Zinedine Zidane, ndërsa Jese Rodriguez shënoi një tjetër gol në minutën e 86.
Në krahun tjetër, Roma kërcënoi portën e miqve në të 72-ën me një goditje të Vainqeur që përfundoi pak centimetra larg shtyllës së Keylor Navas, ndërsa Dzeko u tregua i pasaktë në disa aksione. Ky sukses i siguron Realit një avantazh të madh për takimimin e kthimit ku do të kërkojë të mbyllë llogaritë me italianët që nuk arritën të bënin surprizën edhe pse u mbështetën nga rreth 55 mijë tifozë në stadiumin “Olimpico”. Takimi tjetër mes Gentit dhe Wolfsburgut foli për gjermanët ku Draxler ai që shënoi dy golat e parë, ndërsa Max Kruse rrjetën e tretë. Gjithsesi, vendasit arritën të shkurtojnë diferencën në 3-2 me Sven Kums dhe Coulibaly në 10 minutat e fundit./ss/