Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me taksën, dhe paralajmërimet e njëpasnjëshme të zyrtarëve amerikanë për largimin e ushtarëve të SHBA-ve në Kosova.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi i ka bërë thirrje urgjente qeverisë që të mblidhet dhe të marrë një vendim në përputhje me kërkesat e SHBA-ve, shkruan lajmi.net.
Presidenti ka thënë se mjaft është cënuar lidhja e Kosovës me SHBA-të, pa të cilën sipas Thaçit nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin e as të ardhmen.
Postimi i plotë i presidentit:
Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë.
Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës.