Reagon Sindikatat e KEK-ut ndaj deklaratave të Kurtit: Lavdërimet nuk mjaftojnë pa rritje reale të pagave

E publikuar: 31/12/2025 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikatа e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SR KEK) ka reaguar ndaj deklarimeve të bëra në konferencën e fundit për media ku ishin të pranishëm Kryeministri në detyrë, Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK-ut, duke kërkuar trajtim të barabartë, paga dinjitoze dhe stimulim financiar për punëtorët e kësaj korporate.

Sipas sindikatës, ndonëse KEK-u aktualisht po operon me pesë blloqe që nga data 19 dhjetor 2025, një kapacitet maksimal që është arritur shumë rrallë në periudhën e pasluftës, punëtorët e kësaj korporate po përballen me padrejtësi sociale, pasi për fundvit nuk është paraparë asnjë stimulim financiar.

Në reagimin e saj, Sindikatа e Re e KEK-ut thekson se ky sukses në prodhim nuk është i rastësishëm, por rezultat i drejtpërdrejtë i punës, përkushtimit dhe sakrificës së punëtorëve.

Sindikata vlerëson se lavdërimet publike për punëtorët nuk janë të mjaftueshme pa veprime konkrete institucionale.

Duke iu referuar deklarimeve të Kryeministrit për rritjen prej 47 për qind të buxhetit për paga në sektorin publik administrativ, sindikata thekson se në KEK rritjet kanë qenë dukshëm më të ulëta. Sipas reagimit, pagat janë rritur për 70 euro nga janari 2024 dhe për 50 euro nga janari 2025, që në total përbëjnë rreth 15 për qind rritje, shumë më pak se në sektorët e tjerë publikë dhe jo në përputhje me rrezikun dhe rëndësinë strategjike të punës në KEK.

Sindikatа e Re e KEK-ut vlerëson se respekti institucional ndaj punëtorëve duhet të dëshmohet përmes pagave dinjitoze, trajtimit të barabartë, stimulimit financiar për punë të jashtëzakonshme dhe vlerësimit konkret, veçanërisht në periudha festive dhe në fundvit.

Në reagim thuhet se punëtorët e KEK-ut nuk kërkojnë privilegje, por drejtësi, dinjitet dhe trajtim të barabartë me sektorët e tjerë publikë. Sindikata paralajmëron se do të vazhdojë të mbrojë interesat e punëtorëve me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale në dispozicion.