
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë, raporton Infosot.
“Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vonesën në pagesën e ndërrimit të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
Në prag të festës, policët nuk e kanë marrë pagën e merituar, e cila është e domosdoshme për planifikimin e angazhimeve të tyre familjare dhe personale. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.
Sindikata e Policisë e Kosovës kërkon nga Ministria e Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura, duke siguruar kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë, në përputhje me të drejtat ligjore të zyrtarëve policorë. Kjo është e nevojshme për të ruajtur motivimin dhe angazhimin e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.
Sindikata e Policisë e Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e zyrtarëve policorë dhe të kërkojmë zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme për këtë çështje.