Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj publikimit të raportit të auditorit, në të cilin thuhej se komuna që ai udhëheq ka shpenzuar naftë më të shtrenjtë dhe ka shtruar dreka pa arsye.
Ahmeti në një postim në profilin e tij në facebook ka thënë që dëshiron t’i informoj qytetarët që shuma që ka shpenzuar komuna e Prishtinës për tërë vitin në dreka dhe darka kanë qenë 13 mijë e 541 euro, gati dhjetë fish më pak se komuna e Prizrenit.
“Sa për informatë, Komuna e Prishtinës në vitin 2014 ka shpenzuar 13,541 Euro për tërë vitin, edhe këto shumica kanë qënë për vizita te larta dhe festa solemne. Sa për krahasim, Prizreni ka shpenzuar 112,000”, ka thënë Ahmeti në statusin e tij të facebook duke shtuar se shpenzimet e naftës në vitin 2014 kane rënë në 193 mije nga 293 mije në vitin 2013 për administratë, 60 mijë euro më pak në shëndetësi dhe rreth gjysmë milioni më pak para janë shpenzuar për naftën në sektorin e arsimit, raporton lajmi.net.
Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, Komuna e Prishtinës, në dy raste, për shkak të shkëputjes së kontratës, ka shfrytëzuar kontraktorë të tjerë, duke anashkaluar procedurat e prokurimit.
“Për shembull: kontrata për furnizim me naftë për shkolla, duke shkaktuar humbje financiare në vlerë prej 10,674€ si pasojë e çmimit më të lartë”, thuhej në raport.