Zyra e Kryeministrit Isa Mustafa, ka reaguar zyrtarisht ndaj lajmit për servisimin e BMW-së, nga ana e kompanisë që drejtohet nga djali i tij, Besniku. Në reagim thuhet se motiv i përzgjedhjes së “Makcar” nuk ka qenë lidhja familjare, por çmimi më i ultë i ofertës.
Në reagim të Zyrës së Prokurimit Publik në kuadër të Kryeministrisë thuhet se dëshirohet të sqarohet opinioni publik lidhur me artikullin e publikuar në mediat e shkruara dhe elektronike, i cili i referohet servisimit të një veture (BMW X5, i blinduar) të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në servisin e vetëm të autorizuar të BMW-së në Kosovë, Makcar, i cili menaxhohet nga Besnik Mustafa, raporton Koha.net.
“Sigurojmë opinionin dhe të gjithë taksapaguesit në Republikën e Kosovës se kjo procedurë është kryer në përputhje të plotë në dispozitat dhe kriteret e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit Publik, duke i kushtuar kujdes maksimal shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe se në përzgjedhjen e fituesit nuk kishte asnjë motiv tjetër”, thuhet në reagim.
Mbështetur në këto kritere, në konkurrencë edhe me dy operatorë të tjerë ekonomikë konkurrues, në kushte të barabarta, ka rezultuar se operatori i përgjegjshëm, me çmimin më të lirë për shërbimin e kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të jetë kompania Makcar.
“Për dijeni të opinionit, dy operatorët e tjerë ekonomik konkurrues kishin ofertuar me çmimet 3,480 Euro, përkatësisht 3,207 Euro, ndërsa operatori Makcar kishte ofertuar me çmimin 2,946 Euro dhe si rezultat ishte shpallur fitues”, thuhet në reagim.
“Për këto dhe arsye të tjera të cilat mund të vërtetohen nga kushdo dhe në çdo kohë, japim garanci për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se përzgjedhja e operatorit fitues në rastin konkret është bërë në përputhje të plotë me ligjin dhe në interes të shpenzimit sa më racional të parasë publike dhe nuk ka të bëjë asgjë me faktin se z. Besnik Mustafa, si pronar-menaxher i këtij operatori është djali i kryeministrit Isa Mustafa”, thuhet në reagim.
Gjatë ditës ka reaguar vetë kryeministri Mustafa përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, duke thënë se nuk e ka ditur këtë gjë dhe se në fakt nuk sheh asgjë të keqe.
E Lëvizja Vetëvendosje përmes një aksioni ka shkruar në objektin qeveritar te ish-Rilindja një mbishkrim “Djemve Tenderat, Serbisë Zajednicën”.