Reagon PSD: Organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të Kurtit

E publikuar: 01/02/2022 21:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Socialdemokrate ka thënë se organet e drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetit të kryeministri Albin Kurti, pas arrestimit të kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj.

Sipas PSD-së, arrestimi i Molliqajt është bërë në mënyrë të jashtëligjshme e skandaloze. PSD-ja pretendon se urdhërarresti i Policisë është duke u përpiluar tek tash pas arrestimit të tij.

“Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zinxhirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë. Ky arrestim ka mund të ngjajë sot në çdo kohë. Ai ka qenë në zyrë dhe nëpër takime të ndryshme në Prishtinë përgjatë këtyre dy ditëve. Tash, pasi që është arrestuar, po kuptojmë që urdhërarresti i policisë është duke u përpiluar”, thuhet në reagimin e tyre.

Partia Socialdemokrate tutje thotë se do i mbajë përgjegjës dhe do ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore kundër të gjithë atyre që sonte abuzuan pushtetin e tyre për ta privuar nga liria Dardan Molliqajn.
“Arrestimi i panevojshëm i sotëm është i motivuar politikisht dhe është sulm i drejtpërdrejtë ndaj veprimeve tona opozitare”, përfundon reagimi i tyre.

Molliqaj u arrestua sonte, për shkak se goditi me shuplakë një polic gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës, të thirrur nga partia që ai e udhëheq.