Kështu shkruan Jahjaga në një mesazh në Facebook.
Ky reagim i Presidentes Atifete Jahjaga, vjen pas deklaratës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, i cili në emisionin “Interaktiv”, veç tjerash ka deklaruar LDK braktisi Bllokun pasiqë Presidentja Atifete Jahjaga, mori rekomandime nga SHBA’të se Vetëvendosje nuk duhej të ishte në qeverisje.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se “Presidentja në asnjë takim me liderët e partive politike nuk ka rekomanduar apo shtyrë një opsion të caktuar politik”.
Mesazhi i Jahjagës në Facebook:
Deklarata e sotme e zëvendëskryeministrit Kujtim Shala në emisionin Rubikon të KTV-së, se gjatë periudhës së ngërçit të vitit 2014, Presidentja ka ndikuar se cilat parti të jenë pjesë e qeverisë së tanishme, janë absolutisht të pavërteta dhe të pabaza. Koalicionet qeverisëse i krijojnë partitë dhe partitë vendosin se kur i përfundojnë ato. Partitë duhet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe jo të përfshijnë Presidentin e vendit dhe partnerët ndërkombëtar në vend, në debate të brendshme politike.
Presidentja Jahjaga ka ndërmjetësuar ndërmjet partive në gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, në respektim të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kritereve që burojnë nga to. Presidentja në asnjë takim me liderët e partive politike nuk ka rekomanduar apo shtyrë një opsion të caktuar politik.
Është për keqardhje që një zyrtar i lartë institucional, i cili nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për tejkalimin e ngërçit, bën deklarata të pasakta për qëllime politike, në momentin kur qytetarët presin nga institucionet, përfshirë dikasterin që z. Shala udhëheqë, të tregojnë lidership dhe të gjejnë zgjidhje urgjente për çështjet e interesit thelbësor për vendin.