Reagon Pacolli: Nuk është koha e trimave pas lufte, dhe as e axhendave vetiake

E publikuar: 09/05/2015 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka reaguar për ngjarjet e fundit në Maqedoni.

Ai ka shkruar në Facebook këtë mesazh:
NGUSHËLLIM PËR VIKTIMAT E PAFAJSHME ! NUK ËSHTË KOHA E TRIMAVE PAS LUFTE, DHE AS E AXHENDAVE VETIAKE TË NDOKUJT. DUHET TË HARMONIZOHEN AXHENDAT TONA KOMBËTARE, INTERESI YNË KOMBËTAR ME ATË PERËNDIMOR

Shpreh hidhërimin tim për viktimat e pafajshme në Kumanovë. Jam veçanërisht i prekur nga humbja e jetës së një vajze të vogël që s’ka patur kurrfarë lidhjeje me atë që po ndodh. Janë ngjarje të pafalshme për një shtet, për një vend i cili është aspirant për të hyrë në Bashkimin Europian.

Nuk është koha e trimave pas lufte, dhe as e axhendave vetiake të ndokujt.
Maqedonia është një vend kompleks, megjithëse i vogël, ku shumë lojtarë ndërkombëtarë, vendorë, pleksin interesat e tyre të ligjshëm apo të paligjshëm. Në këtë kuptim është vështirë të identifikosh dhe të vësh gishtin në gjithë shkaktarët e asaj që po ndodh. Partitë politike shqiptare duhet të angazhohen si kurrë më parë për të forcuar autoritetin e tyre brenda sistemit politik maqedonas në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe të mos lejojnë degradim të statusit të shqiptarëve. Ndërkohë ajo që po ndodh është rast për të bërë thirrje për qetësi dhe jo për acarim të situatës.

Është në interesin tonë kombëtar ruajtja e stabilitetit të Maqedonisë në përputhje me interesin e partnerëve tanë perëndimorë, dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është moment kyç për këtë stabilitet.
Ky është rasti të përsëris thirrjen time të mëhershme për harmonizimin e qëndrimeve të faktorit shqiptar. Si president i Kosovës, por edhe më vonë jam angazhuar personalisht për këtë. Por dua t’i bëj thirrje dhe qeverisë së Shqipërisë, kryeministrit Rama të punojë në këtë drejtim për të arritur këtë harmonizim. Vetëm të harmonizuar ne mund të mbrojmë interesin tonë kombëtar dhe të përparojmë statusin e popullit shqiptar të Maqedonisë./Indeksonline/