BE reagon ndaj emërimit të të dënuarit për krime lufte në Akademinë Ushtarake të Serbisë

E publikuar: 30/10/2017 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini,ka reaguar ndaj vendimit që në krye të Akademinë Ushtarake të Serbisë të emërohet i dënuari për krime lufte nga Tribunali i Hagës, gjenerali Vlladimir Llazareviq.

Në një përgjigje për Gazetën “Express”, Zyra e Mogherinit thotë se BE pret që udhëheqësit politikë t’i nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë pajtimin.

“Ne presim që udhëheqësit politikë të nderojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor, që është thelbësor për stabilitetin, të ardhmen paqësore dhe prosperitetin”, ka deklaruar për Express zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

“Udhëheqësit politikë duhet t’i udhëheqin të gjitha përpjekjet për kapërcimin e trashëgimisë së vështirë të së kaluarës dhe në mënyrë konstruktive të nxisin besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën”, ka shtuar ajo.

Kocijançiç ka thënë se Serbia, si një vend kandidat për anëtarësim në BE, nuk mund të devijojë nga këto parime, ndërsa emërimi i një krimineli të luftës të dënuar në Akademinë Ushtarake Serbe shkon pikërisht kundër këtyre parimeve.

Lidhur me emërimin e Vlladimir Lazareviqit si ligjërues në Akademinë Ushtarake të Serbisë ka reaguar ashpër edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se një veprim i tillë nuk është i habitshëm për shtetin serb, por ka theksuar se një gjë e tillë do të duhej të ishte shqetësuese për çdokënd në BE dhe në shtetet anëtare të saj.

“Nuk e paragjykoj reagimin e BE-së dhe me vëmendje dhe durim do ta pres një të tillë. Por, nuk e di çfarë ka më të shëmtuar se fakti që një i dënuar për krime lufte kundër njerëzimit të ligjëroj në akademinë ushtarake të Serbisë”, ishte shprehur Thaçi ditë më parë.

Në vitin 2019, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës dhe i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë, gjenerali në pension Vladimir Llazareviq, është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.

Ai është dënuar me 14 vjet burg, prej të cilave i ka vuajtur vetëm 6 vjet.

Gjenerali famëmadh serb nga lufta në Kosovë, siç e cilësojnë mediet e Beogradit, të premten e ka mbajtur ligjëratën e parë para kadetëve të Akademisë Ushtarake në Beograd. Madje ai është shprehur edhe kundër NATO-s. (r.m.)