Pas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila në bazë të informatave të siguruara nga Agjensioni Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, njoftoi se produkti medicinal Paracetamol P 500, i prodhuesit “Apex” nuk është regjistruar në Kosovë, të njëjtën tani e thotë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në lidhje me këtë bar në rrjete sociale u tha se është vdekjeprurës, pa ndonjë verifikim informacioni nga mekanizma kredibil, shkruan Periskopi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, informon qytetarët se nuk ka vend për brengosje duke marrë parasysh se ethet ‘Machupo’ përhapen përmes aerosoleve të ekskreteve dhe sekreteve të brejtësve që jetojnë ne Bolivi dhe rajoneve për rreth.
“Instituti Kombëtar ka përforcuar mbikëqyrjen epidemiologjike dhe nuk ka asnjë alarm lidhur me këtë sëmundje”, thuhet tutje në këtë prononcim të IKSHPK-së./insajderi/